Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Aheng / Një fjalë e vetme e cila ngërthen shumë elementë

Aheng / Një fjalë e vetme e cila ngërthen shumë elementë

Nga Enris Qinami

Aheng, një fjalë e vetme e cila ngërthen shumë elementë në të, aq sa është njëherazi fenomen muzikor dhe kulturor. Vetë fjala aheng vjen nga persishtja āháng آهنگ që do të thotë : melodi, tingull, intonacion. Tek shqiptarët fjala aheng ka marrë kuptimin e idesë së dëfrimit, kënaqësisë, por duke e ruajtur edhe kuptimin fillestar, falë sistemit të ahengut ose të melodive dhe shkallëve muzikore. Pra një fjalë e vetme është bërë subjekt dhe objekt duke qenë në të njëjtën kohë melodi, harmoni po aq sa dhe kënaqësia e përftuar nga kjo melodi, nga kjo harmoni. Jo më kot nuk thuhet se dasma pa aheng është si gjella pa kripë. Në Shkodër thonë: “Ju shkoftë jeta me aheng!”, kjo sepse ahengu nënkupton hare, gëzim, pasion, emocion por edhe mall e meditim.


Vetë fjala aheng përdoret në disa gjuhë përveç persishtes së Iranit si në Azerbaxhan ahəng, në Kazakistan: ән (än), në osmanisht është آهنك‎ (ahenk), në gjuhën armene: ահէնկ (ahēnk), si dhe në urdu: آہنگ‎ (āhang).
Bazamenti i muzikës së ahengut është ndërtimi i tij me sistemin e makamit. Makami (مقام) fillimsht nënkuptonte vendin ku luhej muzika dhe më pas, modalitetin e saj. Makam fjalë për fjalë do të thotë “stacion”, shkallë melodike, por gjithashtu ka kuptimin e “gradës së lartë” ku simbokizon një model transhendent. Në ndryshim nga koncepti modernist i ahengut i cili përkufizohet si një dëfrim deri diku i çthurur, ahengu i mirëfilltë është një muzikë prej së cilës lind kënaqësia e brendshme nga e cila performuesi dhe auditori shkrihen dhe bëhen një e vetme. Muzika e ahengut, e bazuar në sistemin e makamit, ishte pjesë themelore e muzikës tradicionale qytetare të periudhës osmane në Shqipëri si dhe gjetkë në Ballkan dhe ishte e lidhur ngushtë me jetën urbane dhe pazaret e dikurshme. Në pazarin e periudhës osmane, anëtarët e një esnafi qëndronin midis tyre dhe shpeshherë pas punës piqeshin për të bërë aheng së bashku.

Mund të themi me plot bindje se muzika qytetare lindi, mori formën e saj dhe u zhvillua në pazar, i cili nuk ishte vetëm një vend i specializuar në shkëmbimin e mallrave, por mbi të gjitha një vend me një vokacion social.
Ahengu është lëvruar dhe vazhdon të mbijetojë kryesisht në Shqipërinë e mesme, Tiranë, Elbasan, Durrës, Kavajë, Shijak, Krujë, por dhe në Shkodër e Berat. Jashtë kufijve shtetërorë  është prezent në Gjakovë, Prishtinë, Prizren, Pejë, Tetovë, Gostivar, Kërçovë.


Tradita e ahengut shkodran është ajo e cila më së shumti është kodifikuar sipas njê sistemi të caktuar ku makamet e ahengut zakonisht ishin 12 dhe ato quheshin sipas klasifikimit të profesor Ramadan Sokolit me emrat : Dyqah, Zyl, Huzam, Nihavend, Divan, Raas, Sergjah, Nevish, Hysejni, Sabah dhe Leva. Biles një këngë shkodrane titullohet “ Me dymbėdhjetë mekame qi janë”.


Ahengu shoqërohej në Shkodër me sazen e cila ishte bazamenti harmonik, violina e cila luhej si qemanxheja duke e mbajtur vertikalisht, kavalli i cili u zëvendësua më pas nga klarineta dhe nga dajra. Në Shqipėrinė e Mesme luhej me violinė, llautë, çyr bishtëgjatë, ud dhe dajre.

|MEDIA KONTAKT

Prev Post

Kostumet ushtarake më të fuqishme në botë (Video)

Next Post

Frikë nga sanksionet e SHBA?! Rusia fare mirë mund të përdorë Bitconin të ecë e lirë në tregjet globale

post-bars

Leave a Comment