Çmimi dhe përzgjedhja: çfarë ndryshon te librat shkollorë
Ministria e Arsimit ka përcaktuar rregulla të reja për konkurrimin, vlerësimin dhe çmimet e teksteve që përdoren në arsimin parauniversitar. Udhëzimi përcakton mënyrën si botuesit paraqesin librat, si shqyrtohet përmbajtja dhe si përgatitet katalogu zyrtar për çdo vit shkollor.
Për secilën lëndë dhe klasë mund të përzgjidhen deri në tri alternativa tekstesh. Botuesit vendas dhe distributorët e teksteve të huaja mund të konkurrojnë me nga një alternativë për çdo lëndë dhe klasë.
Një nga ndryshimet lidhet me çmimin. Për tekstet e përzgjedhura do të caktohet një çmim tavan, i llogaritur mbi bazën e mesatares së çmimeve të propozuara nga botuesit. Nëse një libër kushton më shumë se ky kufi, ai do të shitet me çmimin tavan; nëse kushton më pak, do të ruajë çmimin e ofruar nga botuesi. Për tekstet që kanë pasur alternativa të ngjashme edhe një vit më parë, parashikohen kufizime të lidhura me inflacionin.
Udhëzimi përcakton edhe afatet për përditësimin e teksteve kur ndryshon programi mësimor. Nëse ndryshimi është deri në 30%, botuesit duhet ta përshtatin librin brenda tre muajve nga njoftimi zyrtar. Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar do ta vlerësojë tekstin e përditësuar brenda 20 ditëve pune. Librat që nuk plotësojnë kriteret mund të hiqen nga katalogu.
Pjesë e vlerësimit do të jenë edhe materialet digjitale, si audio, video, animacione dhe ushtrime ndërvepruese. Ato duhet të funksionojnë në pajisjet e parashikuara për shkollat dhe të jenë të përdorshme si me internet, ashtu edhe pa të.
Tekstet e reja do të shqyrtohen nga një grup specialistësh. Botuesit mund të ankohen për vendimin brenda pesë ditëve nga njoftimi, ndërsa katalogu përfundimtar do të miratohet nga Ministria e Arsimit dhe publikohet çdo vit përpara fillimit të shkollës.