Gjykata në Hagë shpall sot vendimin për Thaçin dhe katër të bashkëakuzuarit
Gjykata Speciale në Hagë pritet të shpallë sot, më 17 nëntor, aktgjykimin në çështjen ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut e Hajredin Kuçit. Seanca është caktuar për orën 10:00 dhe gjykatësi Christopher Gosnell ka urdhëruar praninë e të pesë të akuzuarve.
Rasti lidhet me pretendime për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Sipas aktakuzës, gjatë vizitave në qendrën e paraburgimit, Thaçi dyshohet se u ka dhënë disa të bashkëakuzuarve informacione konfidenciale për dëshmitarët e Prokurorisë dhe është përpjekur të ndikojë në dëshmitë e tyre. Këto janë pretendime të Prokurorisë që gjykata do t’i vlerësojë në aktgjykim.
Prokuroria u mbështet, ndër të tjera, te rreth 28 orë biseda të regjistruara gjatë nëntë vizitave në paraburgim. Mbrojtja i kundërshtoi interpretimet e tyre dhe vuri në pikëpyetje saktësinë e transkripteve. Ekspertja e thirrur nga mbrojtja, Helen Fraser, vlerësoi se besueshmëria e tyre ishte e ulët, por tha se nuk mund të përcaktonte nëse transkriptet ishin të pasakta; ajo pranoi se nuk e njihte gjuhën shqipe.
Mbrojtja argumentoi gjithashtu se disa nga informacionet e cilësuara si konfidenciale ishin bërë publike ose lidhej me kujtime të përbashkëta. Të akuzuarit i kanë mohuar akuzat.
Aktgjykimi i sotëm do të japë vendimin e shkallës së parë në këtë çështje, të njohur si “Thaçi 2”, dhe do të përcaktojë nëse Prokuroria i ka provuar akuzat përtej dyshimit të arsyeshëm.