Versioni për web
Linja të reja, bileta elektronike dhe terminale moderne: çfarë ndryshon në transportin ndërqytetës
Riorganizim të linjave të autobusëve, lidhje të reja për zonat me shërbim të kufizuar dhe më shumë informacion digjital për udhëtarët: këto janë disa nga ndryshimet që parashikon Strategjia Sektoriale e Transportit dhe Plani i Veprimit 2030. Dokumenti, i miratuar nga qeveria më 28 tetor, synon ta përshtatë rrjetin me kërkesat reale të qytetarëve.
Përpara ndryshimit të linjave do të bëhet një analizë kombëtare e udhëtimeve, ku do të merren parasysh shpërndarja e popullsisë, flukset e pasagjerëve dhe nevojat e zhvillimit rajonal. Mbi bazën e saj, linjat që mbivendosen ose përdoren pak mund të rishikohen apo bashkohen, ndërsa në zonat ku mungojnë lidhjet e përshtatshme parashikohet krijimi i itinerareve të reja.
Strategjia synon gjithashtu të përmirësojë oraret dhe ndalesat, si dhe të lidhë më mirë autobusët ndërqytetës me transportin urban, hekurudhat, portet dhe aeroportet. Megjithatë, dokumenti nuk përcakton ende se cilat linja do të ndryshojnë dhe cilat zona do të përfitojnë lidhje të reja. Këto vendime do të varen nga analiza e planifikuar.
Një tjetër drejtim është kalimi te biletimi elektronik dhe informimi i udhëtarëve në kohë reale. Synohet që pasagjerët të kenë më lehtë qasje te oraret dhe tarifat, përmes platformave online dhe sistemeve në terminale. Plani i veprimit e parashikon pilotimin e biletave multimodale dhe vendosjen e sistemeve të informacionit gjatë viteve 2029–2032, pra disa nga masat do të vazhdojnë edhe pas vitit 2030.
Për terminalet ndërqytetëse parashikohen studime fizibiliteti, investime për modernizim dhe standarde më të mira për sigurinë, aksesueshmërinë dhe komoditetin. Plani përfshin gjithashtu 20 milionë euro për zhvillimin e nyjeve multimodale gjatë periudhës 2027–2032, ku do të ndërthuren disa forma transporti.
Strategjia parashikon edhe rinovimin gradual të flotës me autobusë me emetime më të ulëta, si dhe përzgjedhjen e operatorëve përmes procedurave konkurruese dhe kontratave të lidhura me cilësinë e shërbimit. Për udhëtarët, rezultatet konkrete do të varen nga studimet, financimi dhe zbatimi i masave në vitet e ardhshme.