Maratona e Tiranës të dielën: këto rrugë do të bllokohen
Të dielën, më 15 nëntor, Tirana do të mirëpresë edicionin e dhjetë të Maratonës “Wizz Air”. Për shkak të garës, një numër rrugësh dhe bulevardesh do të bllokohen ose do të kenë kufizime në qarkullim. Bashkia u ka bërë thirrje qytetarëve të përdorin mjete alternative transporti.
Unaza e Mesme do të jetë e bllokuar, me përjashtim të segmentit nga Ura e Gjykatës së Rrethit Tiranë deri te Rruga e Elbasanit. Kufizime do të ketë edhe në bulevardet “Zhan D’Ark”, “Bajram Curri” dhe “Gjergj Fishta”, si dhe në rrugët “Kavajës”, “Ismail Qemali” dhe “Abdyl Frashëri”.
Qarkullimi i automjeteve do të pezullohet në këto rrugë dhe segmente:
- Sheshi “Nënë Tereza”
- Bulevardet “Zogu I”, “Dëshmorët e Kombit” dhe “Bulevardi i Ri”
- Rrugët “Durrësit”, “Myslym Shyri”, “George W. Bush”, “Papa Gjon Pali II”, “Ismail Ndroqi”, “Ded Gjo Luli”, “Lek Dukagjini”, “Dibrës”, “Mine Peza”, “Ismail Qemali”, “Gjergj Filipi”, “Urani Pano”, “Abdi Toptani”, “Ibrahim Rugova”, “Luigj Gurakuqi”, “Barrikadave” dhe “Vaso Pasha”
Bashkia ka njoftuar gjithashtu drejtime të detyruara në disa kryqëzime, mes tyre te Rruga e Elbasanit me bulevardin “Zhan D’Ark”, te kryqëzimi “21 Dhjetori”, në zonën e “Vasil Shantos” dhe në kryqëzimet e rrugëve “Dibra”, “Hoxha Tahsim”, “Mine Peza”, “Myslym Shyri”, “Pjetër Bogdani”, “Abdyl Frashëri” dhe “Adem Jashari”. Drejtuesit e automjeteve këshillohen të ndjekin sinjalistikën dhe udhëzimet në terren.
Maratona zhvillohet për të dhjetin vit në kryeqytet. Në edicionin e kaluar morën pjesë mbi 4 mijë garues nga Shqipëria dhe vende të tjera.