Tirana International Fair 2026, mbi 300 kompani bashkojnë biznesin në kryeqytet

Tirana International Fair 2026, mbi 300 kompani bashkojnë biznesin në kryeqytet

Panairi Ndërkombëtar i Tiranës ka çelur edicionin e 32-të në Pallatin e Kongreseve, duke sjellë në kryeqytet mbi 300 kompani shqiptare dhe të huaja. Aktiviteti zhvillohet nga 3 deri më 6 nëntor, nën temën “Windows into the Future”, me synimin për të nxitur bashkëpunimin ekonomik dhe krijimin e partneriteteve të reja.

Ceremonia e hapjes mblodhi përfaqësues të qeverisë, komunitetit diplomatik, dhomave të tregtisë dhe industrisë, si dhe sipërmarrje vendase e ndërkombëtare. Menaxheri i Përgjithshëm i panairit, Luel Muhametaj, theksoi se aktiviteti synon të krijojë ura bashkëpunimi mes bizneseve, veçanërisht në një periudhë pasigurie gjeopolitike dhe sfidash për tregtinë e investimet.

Pesë ekspozita të specializuara

Edicioni i këtij viti është organizuar në pesë ekspozita që mbulojnë sektorë të ndryshëm të ekonomisë: TIF Power, për energjinë, infrastrukturën, ndërtimin dhe pasuritë e paluajtshme; TIF Tech, për teknologjinë dhe zgjidhjet digjitale; TIF Explore, për turizmin dhe mikpritjen; TIF Agro, për bujqësinë dhe industrinë ushqimore; si dhe Gallery of Nations, që sjell pavijone kombëtare dhe kompani ndërkombëtare.

Panairi shtrihet në një sipërfaqe ekspozuese prej 8 mijë metrash katrorë. Rreth 60% e kompanive pjesëmarrëse janë të huaja dhe 40% shqiptare, ndërsa përfaqësohen mbi 12 vende, mes tyre Italia, Greqia, Austria, Gjermania, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Serbia, Irlanda, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja. Në aktivitet marrin pjesë gjithashtu 15 ente shtetërore, shoqata biznesi dhe dhoma tregtie.

Energjia dhe bujqësia, në fokus të investimeve

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, u ndal te zhvillimet në sektorin energjetik, duke theksuar rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe diversifikimin e burimeve. Sipas tij, Shqipëria ka shtuar rreth 650 megavat kapacitet fotovoltaik në pesë vitet e fundit, ndërsa energjia diellore përbën rreth 11% të prodhimit vendas.

Karakaçi bëri të ditur gjithashtu se kanë nisur punimet për impiantin e parë të erës me kapacitet rreth 75 megavat, të ndërtuar nga kompania austriake VERBUND. Ai paralajmëroi se deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm pritet të shpallet një tjetër ankand për mbi 300 megavat energji të erës, këtë herë me përfshirjen e baterive.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, vlerësoi panairin si një mundësi për krijimin e partneriteteve dhe tërheqjen e investimeve në bujqësi. Ai u ndal te mbështetja për fermerët, bashkëfinancimi i investimeve, krijimi i shoqërive të bashkëpunimit bujqësor dhe nisma për ngritjen e një burse të produkteve bujqësore, që synon rritjen e transparencës dhe lidhjen e prodhuesve me blerësit.

Takime biznesi dhe bashkëpunim ndërkombëtar

Një nga elementët kryesorë të TIF32 është programi i takimeve B2B, përmes të cilit parashikohen rreth 5 mijë takime mes ekspozuesve, blerësve, importuesve, investitorëve dhe partnerëve të biznesit gjatë katër ditëve të panairit.

Pjesëmarrje të veçantë kanë kompanitë italiane, me mbi 70 sipërmarrje nga rajone të ndryshme të Italisë, si dhe kompani nga Evropa Qendrore dhe Ballkani Perëndimor. Në panair prezantohen gjithashtu sipërmarrje gjermane dhe austriake, ndërsa pavijonet kombëtare të Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinës, së bashku me kompanitë nga Kosova, forcojnë dimensionin rajonal të aktivitetit.

Përtej ekspozimit të produkteve dhe shërbimeve, panairi përfshin edhe nisma për komunitetin dhe punësimin e të rinjve. Programi “TIF për komunitetin” parashikon mbështetje për organizata sociale, dhurime librash dhe ripërdorimin e pajisjeve pas aktivitetit. Ndërkohë, Konkursi Kombëtar i Aftësive synon të lidhë të rinjtë me kompanitë pjesëmarrëse, duke krijuar mundësi për praktika profesionale dhe punësim.

Panairi Ndërkombëtar i Tiranës vijon të shërbejë si një platformë për promovimin e sipërmarrjes shqiptare, zhvillimin e kontakteve tregtare dhe zgjerimin e bashkëpunimit me tregjet ndërkombëtare.

Prev Post

Pagesat në Shqipëri, lekë dhe…

Next Post

Urgjenca mjekësore, Shqipëria synon reagimin…

post-bars

Leave a Comment