Shqiptarja triumfon në Pragë, çmimi i parë në arkitekturë!
Arkitektja e re shqiptare Iris Muhameti është shpallur fituese e çmimit të parë në kategorinë e Arkitekturës në konkursin ndërkombëtar INSPIRELI AWARDS 2026, me projektin “Cor Mediterraneum”, kushtuar trashëgimisë bregdetare të Porto Palermos.
Projekti, i realizuar si temë diplome nën drejtimin e profesorit Antonio Capestro, u përzgjodh mes 2,800 projekteve të paraqitura nga pjesëmarrës në 108 shtete. Konkursi u zhvillua në edicionin e tij të 11-të dhe synon t’u japë arkitektëve të rinj mundësi për të prezantuar punën e tyre përpara një jurie ndërkombëtare.
Vlerësimi i marrë në Pragë e vendos projektin e Muhametit mes punimeve të spikatura të këtij edicioni dhe sjell në vëmendje Porto Palermon, një zonë me rëndësi historike dhe kulturore në bregdetin shqiptar.
Çmimi përbën një arritje për arkitekten e re dhe një mundësi për të promovuar trashëgiminë shqiptare përmes arkitekturës bashkëkohore. Një vlerësim që sjell në vëmendje jo vetëm talentin e të rinjve shqiptarë, por edhe vlerat e jashtëzakonshme të trashëgimisë sonë kulturore.


