Studentëve u bashkohen pedagogët dhe mjekët

Studentëve u bashkohen pedagogët dhe mjekët

Protesta e studentëve në Tiranë ka hyrë në ditën e 11-të, me pjesëmarrjen e pedagogëve, mjekëve dhe qytetarëve që i janë bashkuar thirrjeve për ndryshime politike dhe përmirësimin e kushteve të arsimit.

Protestuesit u mblodhën fillimisht pranë Universitetit Politeknik të Tiranës dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë. Mes tyre kishte edhe studentë të Mjekësisë dhe Infermierisë, të cilët dolën me uniforma të bardha dhe maska kirurgjikale. Gjatë tubimit u dëgjuan thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe kundër klasës politike.

Mbështetje për studentët kanë shprehur edhe përfaqësues të Sindikatës së Pedagogëve. Kreu i saj, Aleksandër Kovaçi, deklaroi se pedagogët do të qëndrojnë pranë studentëve dhe se kërkojnë t’i japë fund asaj që e cilësoi si diktat në universitete.

Protestës iu bashkuan gjithashtu rreth 100 profesionistë të shëndetësisë nga Shqipëria dhe diaspora, të cilët nënshkruan një deklaratë në mbështetje të të rinjve. Mjekë, stomatologë, infermierë dhe farmacistë dënuan dhunën ndaj protestuesve dhe personave që u kanë dhënë ndihmën e parë të lënduarve.

Në deklaratë, profesionistët kërkuan mbrojtjen e protestuesve dhe të personelit shëndetësor, hetim të shpejtë e transparent për rastet kur është rrezikuar jeta e qytetarëve, si dhe zhvillimin e protestave në mënyrë paqësore. Ata kërkuan gjithashtu dorëheqjen e kryeministrit dhe krijimin e një qeverie tranzitore, që sipas tyre do të ndihmonte në kapërcimin e krizës dhe rikthimin e besimit te institucionet.

Kreu i Sindikatës së Mjekëve, Gentian Stroni, i cilësoi legjitime kërkesat e studentëve dhe bëri thirrje për vetëpërmbajtje nga protestuesit dhe policia. Ndërsa pedagogu dhe ish-deputeti Aleksandër Biberaj deklaroi se kërkesa për largimin e kryeministrit është e panegociueshme.

Lëvizja studentore vijon prej ditësh në Tiranë, ndërsa mbështetja e pedagogëve dhe profesionistëve të shëndetësisë i ka dhënë protestës një përmasë më të gjerë. Krahas kërkesave për ndryshime politike, studentët kërkojnë edhe kushte më të mira arsimimi dhe jetese.

Prev Post

Gazetaria nën presionin e IA-së…

Next Post

Kampionati i shpëtimit në ujë,…

post-bars

Leave a Comment