Shqipëria arrin Europën në arsim, por të rinjtë po largohen
Shqipëria ka arritur të tejkalojë lehtë mesataren e Bashkimit Europian për përqindjen e të rinjve me arsim të lartë, por mbetet pas në mundësitë ekonomike dhe kushtet që ofron për t’i mbajtur ata në vend. Ndërkohë, investimet e kufizuara në universitete ngrenë pikëpyetje për cilësinë e infrastrukturës dhe zhvillimin e kërkimit shkencor.
Sipas Censit 2023 të INSTAT, 43.2% e shqiptarëve të moshës 25–34 vjeç kishin përfunduar arsimin terciar, kundrejt 43.1% të mesatares së BE-së, sipas Eurostat. Shqipëria renditej kështu mbi Italinë, ku treguesi ishte 30.6%, dhe Gjermaninë, me 37.9%, si edhe mbi disa vende të Ballkanit Perëndimor.
Megjithatë, niveli i arsimimit nuk përkthehet automatikisht në mundësi të ngjashme punësimi dhe të ardhurash. Pagat, perspektiva profesionale dhe kushtet e punës në vendet e zhvilluara europiane mbeten faktorë që ndikojnë në largimin e profesionistëve shqiptarë. Sipas një analize të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të raportuar më herët nga Monitor, rreth 23% e shqiptarëve me arsim të lartë jetonin jashtë vendit gjatë periudhës 2023–2024.
Universitetet, pak fonde për investime
Një tjetër sfidë është financimi i arsimit të lartë dhe mënyra se si shpërndahen fondet mes shpenzimeve të përditshme dhe investimeve afatgjata.
Të dhënat e buxheteve faktike për periudhën 2016–2025 tregojnë se shpenzimet për arsimin universitar arritën rreth 123 miliardë lekë. Nga kjo shumë, rreth 12 miliardë lekë, ose afërsisht 10%, shkuan për investime kapitale. Pjesa tjetër u përdor për paga, sigurime shoqërore, mallra, shërbime dhe shpenzime të tjera të funksionimit.
Pesha e kufizuar e investimeve ngre pikëpyetje për ritmin e përmirësimit të infrastrukturës universitare, pajisjeve dhe laboratorëve, si edhe për mundësitë e zhvillimit të kërkimit shkencor. Të dhënat e përpunuara nga raportet e monitorimit të Ministrisë së Arsimit tregojnë se shpenzimet për universitetet publike janë rritur gjatë dekadës së fundit, por investimet kapitale kanë pasur luhatje dhe nuk kanë shënuar rritje të qëndrueshme në raport me shpenzimet totale.
Në këtë situatë, Shqipëria përballet me një kontrast: formon të rinj me arsim të lartë, por ende duhet të krijojë më shumë mundësi që ata të ndërtojnë karrierën brenda vendit. Përmirësimi i kushteve të punës, rritja e mundësive profesionale dhe investimet më të qëndrueshme në universitete mbeten elemente të rëndësishme për të frenuar largimin e kapitalit njerëzor.