Shqipëria renditet e dyta në Europë për fluturimet komerciale
Shqipëria po shënon një rritje të ndjeshme të aktivitetit ajror. Sipas të dhënave të Eurostat, numri i fluturimeve komerciale në vend u rrit me 23.9% në shtator, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke e renditur Shqipërinë të dytën në Europë për këtë tregues.
Në krye të renditjes qëndron Sllovakia, me një rritje prej 48.6%. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria regjistroi ecurinë më të lartë, e ndjekur nga Mali i Zi me 16.1% dhe Maqedonia e Veriut me 12.6%.
Zgjerimi i fluturimeve lidhet edhe me rëndësinë e transportit ajror për turizmin dhe lidhjet ndërkombëtare të vendit. Megjithatë, rritja e numrit të fluturimeve nuk përkthehet domosdoshmërisht në të njëjtën masë në shtimin e turistëve, pasi përfshin edhe udhëtime për biznes dhe qëllime të tjera.
Në krahun tjetër, rënia më e madhe në Europë u regjistrua në Islandë, me 6.4%, ndërsa ulje u shënuan edhe në Austri, Rumani dhe Gjermani.