Studimi: Të ngrënit vonë në darkë lidhet me rrezik më të lartë për dy sëmundje të mëlçisë
Të ngrënit në orët e vona të natës mund të lidhet me një rrezik më të lartë për dy sëmundje të mëlçisë, sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore Clinical Gastroenterology and Hepatology. Kërkimi analizoi të dhënat e 199,155 personave dhe, pas një ndjekjeje mesatare prej 16 vitesh, evidentoi një lidhje mes orarit të ngrënies dhe shfaqjes së sëmundjeve të mëlçisë.
Sipas studiuesve, personat që hanin pas orarit të gjumit ose mes darkës dhe gjumit kishin një rrezik 28% më të lartë për cirrozë dhe 36% më të lartë për sëmundjen metabolike të mëlçisë së dhjamosur, e njohur si MASLD, krahasuar me ata që hanin në orare më të zakonshme.
Studiuesit mendojnë se një shpjegim i mundshëm lidhet me ritmin cirkadian, ciklin biologjik që rregullon procese të ndryshme të organizmit gjatë ditës dhe natës. Mëlçia ka ritmet e veta biologjike dhe mund ta përpunojë ushqimin ndryshe në orët e vona, çka mund të ndikojë në grumbullimin e yndyrës dhe në nivelin e sheqerit në gjak.
Megjithatë, studimi nuk provon se ngrënia natën shkakton drejtpërdrejt këto sëmundje. Studiuesit nuk morën parasysh disa faktorë, si orari dhe cilësia e gjumit, ndërsa të dhënat nuk përcaktonin as llojin e ushqimeve të konsumuara gjatë natës. Gjithashtu, rastet e cirrozës mbetën të rralla gjatë periudhës së ndjekjes, me 315 raste mes afro 200 mijë pjesëmarrësve.
MASLD është një gjendje në të cilën yndyra grumbullohet në mëlçi, shpesh e lidhur me probleme metabolike. Në disa raste, ajo mund të përparojë drejt dëmtimit të përhershëm të mëlçisë dhe cirrozës.
Autorët theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar më mirë këtë lidhje. Një ekip i Universitetit të Shëndetit dhe Shkencës në Oregon ka nisur gjithashtu rekrutimin e pjesëmarrësve për një studim klinik më të detajuar, që synon të shqyrtojë ndikimin e orarit të ushqyerjes në shëndetin e mëlçisë.