Shqipëria në UNESCO prej 68 vitesh, thesaret kulturore dhe natyrore që na përfaqësojnë në botë
Shqipëria shënon 68-vjetorin e anëtarësimit në UNESCO, organizata e Kombeve të Bashkuara që synon mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të njerëzimit.
Në listat e UNESCO-s përfshihen disa prej pasurive më të rëndësishme shqiptare, që dëshmojnë historinë, traditat dhe bukuritë natyrore të vendit. Mes tyre janë Butrinti, qendrat historike të Beratit dhe Gjirokastrës, si dhe pjesë të trashëgimisë natyrore të Rajonit të Ohrit dhe pyjeve të lashta të ahut, ku përfshihen Rrajca dhe Lumi i Gashit.
Edhe traditat shqiptare kanë gjetur vend në regjistrat e organizatës. Iso-polifonia popullore, xhubleta dhe transhumanca, tradita e shtegtimit sezonal të bagëtive, janë ndër elementet e trashëgimisë kulturore jomateriale të njohura nga UNESCO. Ndërkohë, Kodikët e Purpurt të Beratit janë përfshirë në programin “Kujtesa e Botës”.
Këto pasuri përfaqësojnë një pjesë të identitetit shqiptar dhe dëshmojnë rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë për brezat e ardhshëm.