Sa kushton e njëjta shportë në qytete të ndryshme?
Çmimi i pesë produkteve bazë ushqimore mund të ndryshojë me mbi 1,000 lekë, edhe brenda të njëjtit qytet. Të dhënat e publikuara nga Monitor, bazuar në platformën “Pasqyra e Çmimeve”, tregojnë diferenca të konsiderueshme mes çmimeve minimale dhe maksimale në tetë qytete të Shqipërisë.
Krahasimi përfshin miellin, orizin, makaronat, vajin e lulediellit dhe sheqerin. Në Tiranë dhe Durrës, vlera e shportës nis nga 429 lekë dhe arrin deri në 1,535 lekë, duke krijuar një diferencë prej 1,106 lekësh.
Të njëjtin nivel maksimal e regjistrojnë edhe Fieri dhe Vlora, por me çmime minimale përkatësisht 508 dhe 434 lekë. Ndërsa në Sarandë, shporta kushton nga 429 deri në 1,403 lekë, kurse në Shkodër nga 471 deri në 1,391 lekë.
Në Elbasan dhe Lezhë, çmimet maksimale të pesë produkteve janë më të ulëta, duke arritur në 1,133 lekë. Shporta minimale kushton 439 lekë në Elbasan dhe 459 lekë në Lezhë, ndërsa diferenca mes dy skenarëve është më e vogël se në qytetet e tjera të krahasuara.
Ndryshimet vërehen edhe te produktet veçmas. Në Tiranë dhe Durrës, për shembull, çmimi i orizit varion nga 75 në 419 lekë për kilogram, ndërsa në Elbasan dhe Lezhë nga 75 në 240 lekë. Edhe vaji i lulediellit shfaq intervale të ndryshme, nga 170 deri në 205 lekë për litër në Elbasan dhe Lezhë, kundrejt një maksimumi prej 419 lekësh në disa qytete të tjera.
Vlerat minimale dhe maksimale janë llogaritur duke mbledhur çmimet përkatëse të secilit produkt në platformë. Ato nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht koston e një blerjeje konkrete, pasi çmimet mund të ndryshojnë sipas markës, paketimit dhe disponueshmërisë në dyqane. /monitor.al