Ligji i ri për konsumatorët, gjoba deri në 600 mijë lekë për reklamat mashtruese
Bizneset që përdorin reklama çorientuese, praktika të padrejta tregtare apo pretendime mjedisore të pambështetura mund të gjobiten nga 300 mijë deri në 600 mijë lekë, sipas projektligjit të ri “Për mbrojtjen e konsumatorit”. Për përsëritjen e së njëjtës shkelje brenda pesë viteve, gjoba parashikohet të dyfishohet, duke arritur deri në 1.2 milionë lekë.
Projektligji synon të vendosë kufizime më të qarta mbi mënyrën se si reklamohen produktet dhe shërbimet, veçanërisht kur ato paraqiten si ekologjike ose të qëndrueshme pa prova konkrete. Sipas nenit 33, ndalohen deklaratat e përgjithshme mjedisore që tregtari nuk mund t’i vërtetojë, si edhe pretendimet se një produkt është neutral ndaj klimës kur kjo mbështetet vetëm në kompensimin e emetimeve të gazeve serrë.
Rregullat prekin gjithashtu etiketat e qëndrueshmërisë që nuk bazohen në skema certifikimi ose nuk janë krijuar nga autoritetet publike. Pretendimet për performancën e ardhshme mjedisore duhet të mbështeten në plane të detajuara, objektiva të matshëm, afate të qarta dhe verifikim të pavarur.
Sipas nenit 235, Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen e Konsumatorit mund të vendosë gjoba edhe për shkelje të tjera, përfshirë kushtet e padrejta kontraktore dhe cenimin e të drejtave të konsumatorëve. Për kategori të caktuara kundërvajtjesh, gjobat parashikohen nga 100 mijë deri në 200 mijë lekë.
Në përcaktimin e masës së gjobës do të merren parasysh rëndësia dhe kohëzgjatja e shkeljes, përfitimet financiare të biznesit dhe masat e marra për të riparuar dëmin. Projektligji i jep gjithashtu Agjencisë kompetencën të vlerësojë dëmin dhe të vendosë kompensimin sipas procedurave përkatëse.
Për shkeljet ndërkufitare që prekin interesat kolektive të konsumatorëve në Bashkimin Europian, parashikohet një regjim i veçantë sanksionesh, me gjoba që mund të lidhen me xhiron vjetore të tregtarit. Këto dispozita do të hyjnë në fuqi me anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Masat janë pjesë e një projektligji dhe zbatimi i tyre do të varet nga miratimi dhe hyrja në fuqi e tij.