Shqipëria po humbet krahun e punës, Banka Botërore paralajmëron për frenimin e rritjes ekonomike
Emigracioni, plakja e popullsisë dhe mungesa e aftësive të kërkuara nga bizneset po kufizojnë potencialin ekonomik të Shqipërisë. Sipas raportit të Bankës Botërore “Poverty & Equity Brief”, publikuar më 9 tetor 2026, tregu i punës po shfaq shenja ngadalësimi, ndërsa gratë dhe të rinjtë vijojnë të përballen me vështirësi në punësim.
Në tremujorin e parë të vitit 2026, pjesëmarrja në forcat e punës për grupmoshën 15–64 vjeç zbriti në 76.2%, ndërsa norma e punësimit për popullsinë mbi 15 vjeç ishte 58%. Papunësia qëndroi në 8.4%.
Banka Botërore vlerëson se rritja e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës dhe krijimi i më shumë mundësive për të rinjtë janë thelbësore për të mbështetur ekonominë. Sipas raportit, eliminimi i diferencave gjinore në punësim mund të rrisë Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë me rreth 12% në afat të gjatë.
Megjithatë, varfëria në vend pritet të vijojë rënien. Sipas vlerësimeve të institucionit, ajo zbriti nga 25% në vitin 2024 në 23.1% në vitin 2025 dhe parashikohet të arrijë në 21.6% gjatë vitit 2026.
Banka Botërore sqaron se këto shifra janë vlerësime statistikore, pasi anketa më e fundit e familjeve e përdorur për matjen e varfërisë i përket vitit 2018. Raporti thekson gjithashtu se Shqipëria vijon të ketë një hendek të konsiderueshëm të të ardhurave me standardet ndërkombëtare të prosperitetit.