Librat e shkruar nga IA nën vëzhgim, industria kërkon etiketa për krijimin njerëzor
Pas rasteve të bujshme të autorëve të dyshuar për përdorimin e inteligjencës artificiale, po shtohen nismat për të certifikuar librat e shkruar nga njerëzit. Sisteme të reja etiketimi po prezantohen në Europë dhe SHBA, me synimin për të rritur transparencën në industrinë e botimeve.
Disa skema certifikimi nga Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania u prezantuan në Panairin e Librit në Frankfurt, ku ndikimi i inteligjencës artificiale në letërsi ishte ndër temat kryesore të diskutimit.
Në Francë, kompania “Librinova” u mundëson autorëve të marrin etiketën “krijim njerëzor”, pas një procesi që përfshin analizimin e veprës me programe për zbulimin e përmbajtjeve të krijuara nga IA dhe një intervistë me auditorin. Deri më tani, rreth 200 vepra kanë marrë këtë certifikim.
Në Britaninë e Madhe, “Books By People” ka prezantuar etiketën “letërsi organike”, e cila kërkon që teksti të jetë shkruar nga vetë autori, duke lejuar përdorim të kufizuar të IA-së për korrigjime drejtshkrimore dhe gramatikore. Ndërkohë, në SHBA, organizata “Authors Guild” raporton rreth 6 500 tituj të vetëcertifikuar me etiketën “shkruar nga njeriu”.
Debati është nxitur edhe nga raste konkrete. Shkrimtari Thelyson Orelien është akuzuar për përdorimin e IA-së në romanin e tij të parë, pretendime që ai i ka mohuar. Ndërsa shtëpia botuese “Hachette” anuloi publikimin në SHBA të romanit horror “Shy Girl” nga Mia Ballard dhe e tërhoqi librin nga shitja në Britani, pasi u ngritën dyshime për përdorimin e kësaj teknologjie. Autorja mohoi se e kishte përdorur vetë IA-në, por pranoi se një redaktor i angazhuar për librin kishte përdorur teknologjinë.
Përtej certifikimeve, shqetësimi i autorëve është se përdorimi i IA-së në procesin e krijimit dhe redaktimit mund të vështirësojë dallimin mes veprave njerëzore dhe atyre të gjeneruara nga teknologjia, duke rritur edhe rrezikun e dyshimeve të padrejta ndaj shkrimtarëve.