Rrugët e amortizuara drejt transformimit, ndërhyrje në unazat e tre qyteteve
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur tenderin për projektimin dhe rikonstruksionin e unazave urbane në Ballsh, Fushë-Krujë dhe Elbasan. Investimi ka një fond limit prej rreth 681.6 milionë lekësh dhe parashikon ndërhyrje në rreth 12.3 kilometra rrugë.
Në Ballsh, punimet do të përqendrohen në segmentin Varrezat–Agjencia, në hyrjen veriore të qytetit. Në Fushë-Krujë, projekti përfshin dy segmente të unazës, përfshirë aksin që kalon në zonën e Luzit dhe lidh zonën industriale me korridorin kryesor rrugor.
Ndërsa në Elbasan, ndërhyrja do të përfshijë segmentin Bradashesh–Rrethrrotullimi i Luleve dhe një pjesë të unazës së qytetit, të rëndësishme për qarkullimin drejt zonave industriale dhe lidhjet me akset kryesore kombëtare.
Sipas dokumentacionit të projektit, punimet synojnë të përmirësojnë rrugët e amortizuara, kanalizimet, ndriçimin dhe sinjalistikën, si dhe të krijojnë kushte më të sigurta për këmbësorët dhe çiklistët. Projekti parashikon gjithashtu riorganizimin e kryqëzimeve dhe përmirësimin e qarkullimit urban.