Zhegrova barazon rekordin në Serie A, ylli kosovar shkëlqen me Juventusin
Edon Zhegrova po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje te Juventusi. Edhe pse nuk shënoi në barazimin 1-1 ndaj Cagliarit, futbollisti kosovar spikati me një statistikë të veçantë në elitën e futbollit italian.
I aktivizuar në pjesën e dytë nga Luciano Spalletti, anësori regjistroi pesë goditje në kuadratin e portës, por të gjitha u ndalën nga portieri Elia Caprile.
Sipas të dhënave të publikuara nga “Tuttomercatoweb”, që nga sezoni 2004/05, vetëm Luis Muriel dhe Lautaro Martínez kishin arritur më parë të regjistronin pesë goditje në kuadrat si futbollistë të aktivizuar nga stoli në një ndeshje të Serie A.
Zhegrova vjen pas paraqitjes pozitive ndaj Sassuolos, ku realizoi dy gola. Forma e tij mund t’i japë më shumë hapësirë te Juventusi, megjithëse nuk do të jetë në dispozicion për duelin ndaj Celta Vigos, pasi nuk është përfshirë në listën e klubit për Ligën e Evropës.