Harry Potter rikthehet me dy libra të rinj, në qendër McGonagall dhe binjakët Weasley
Universi i “Harry Potter” do të zgjerohet me dy libra të rinj, që pritet të publikohen më 23 shkurt 2027 nga shtëpia botuese Bloomsbury. Botimet do t’i kushtohen profesoreshës Minerva McGonagall dhe binjakëve Fred e George Weasley, personazhe të dashura të sagës së krijuar nga J.K. Rowling.
Librat janë pjesë e koleksionit të ilustruar “Pocket Potters”, i cili synon të prezantojë personazhet dhe momentet kryesore të historive për lexuesit e rinj, por edhe për adhuruesit e vjetër të botës magjike.
Vëllimi për Fred dhe George Weasley, i ilustruar nga Helen Brady, do të sjellë në vëmendje shakatë, shpikjet magjike dhe aventurat e binjakëve në Hogwarts, përfshirë rrugën drejt krijimit të dyqanit të tyre të famshëm të shakave.
Ndërsa libri për McGonagall, me ilustrime nga Natalie Smillie, do të trajtojë historinë e profesoreshës, rolin e saj si drejtuese e shtëpisë Gryffindor dhe aftësinë për t’u shndërruar në mace.
Të dy librat do të jenë botime me kapak të fortë, nga 32 faqe secili, me ilustrime, citate dhe kuriozitete nga universi i “Harry Potter”. Ata i shtohen një koleksioni që përfshin tashmë personazhe si Harry, Ron, Hermione, Dumbledore, Luna Lovegood, Hagrid dhe Dobby.