Ballkani hap një rrugë të re për gazin: nga Greqia drejt Serbisë
Greqia, Maqedonia e Veriut dhe Serbia po zgjerojnë rrjetin e ashtuquajtur “Vertical Gas Corridor”, duke krijuar një tjetër aks furnizimi për gazin në Europën Juglindore. Zgjerimi synon të lidhë infrastrukturën greke me Serbinë përmes Maqedonisë së Veriut dhe të krijojë alternativa të reja për furnizimin energjetik të rajonit.
Një nga hallkat kryesore është interkonjektori Greqi–Maqedoni e Veriut, aktualisht në ndërtim. Gazsjellësi do të jetë rreth 123 kilometra i gjatë dhe do të nisë me një kapacitet prej 1.5 miliardë metrash kub gaz në vit, me mundësi dyfishimi.
Pas kësaj lidhjeje, rrjeti do të shtrihet drejt Serbisë përmes një interkonjektori të ri nga Maqedonia e Veriut. Segmenti prej 22.4 kilometrash pritet të përfundojë në vitin 2028 dhe është projektuar për transport në të dy drejtimet.
Një burim i rëndësishëm i gazit pritet të jetë LNG-ja që mbërrin në Greqi përmes terminalit të Aleksandroupolis. Athina synon gjithashtu të rrisë ndjeshëm kapacitetin e eksportit drejt veriut deri në vitin 2027.
Projekti nuk shihet vetëm si një rrjet i ri gazsjellësish. Infrastruktura po projektohet edhe me mundësinë e përdorimit të ardhshëm për hidrogjen, ndërsa synimi kryesor mbetet krijimi i rrugëve alternative të furnizimit dhe ulja e varësisë së rajonit nga një burim i vetëm energjie.