Jugu po plaket: Gjirokastra dhe Vlora ndër rajonet më të vjetra të Europës
Gjirokastra dhe Vlora po përballen me një plakje të fortë demografike, me më pak se 55% të popullsisë në grupmoshën 20–64 vjeç. Të dhënat për vitin 2025 i rendisin dy qarqet ndër rajonet me peshën më të ulët të popullsisë në moshë pune në Europë.
Në Gjirokastër, vetëm 54.1% e banorëve janë në moshën 20–64 vjeç, ndërsa në Vlorë kjo shifër është 54.2%. Sipas të dhënave të Eurostat, vetëm rreth 12% e rajoneve europiane kanë një peshë edhe më të ulët të kësaj grupmoshe.
Në krahun tjetër qëndron Tirana, ku 60.5% e popullsisë është në moshë pune. Kryeqyteti renditet ndër rajonet me përqindjen më të lartë në krahasimin me Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor.
Në nivel kombëtar, grupmosha 20–64 vjeç përbën 57.9% të popullsisë. Pas Tiranës, përqindjet më të larta janë në Dibër me 58.5%, Durrës me 58.2%, Kukës me 58.1% dhe Elbasan me 58%.
Ndryshimi mes qarqeve bëhet edhe më i dukshëm në ndarjen sipas rajoneve. Në Qendër, ku përfshihet Tirana, 59.9% e popullsisë është në moshë pune. Në Veri kjo peshë zbret në 57.6%, ndërsa në Jug në vetëm 55.5%.
Krahasimi me vitin 2023 tregon se Jugu ka pësuar rënien më të fortë. Në vetëm dy vjet, pesha e popullsisë 20–64 vjeç në këtë rajon ka rënë me 6.2 pikë përqindje, nga 61.7% në 55.5%.
Vlora ka regjistruar rënien më të madhe në nivel qarku, nga 63.2% në 54.2%. Në Gjirokastër, treguesi ka zbritur nga 60.8% në 54.1%, ndërsa rënie të ndjeshme janë shënuar edhe në Fier, Korçë dhe Shkodër.
Ndërkohë, Dibra dhe Kukësi paraqesin një tendencë të kundërt, me rritje të peshës së popullsisë në moshë pune. Diferencat tregojnë një ndarje të fortë demografike brenda vendit, ku Tirana ruan një profil më të ri, ndërsa Jugu po përballet me një plakje më të shpejtë të popullsisë.