Ulliri pret një sezon më të mbarë, por çmimi mund të bjerë

Ulliri pret një sezon më të mbarë, por çmimi mund të bjerë

Vjelja e ullirit në Shqipëri pritet të sjellë më shumë prodhim këtë vit, por rritja e sasisë mund të ushtrojë presion mbi çmimin. Grumbulluesit presin që vaji i ullirit të blihet më lirë se sezonin e kaluar.

Vjelja pritet të nisë në fund të tetorit në disa zona dhe të shtrihet në nëntor në pjesën tjetër të vendit. Në Elbasan, kultivuesit janë optimistë për prodhimin, pavarësisht thatësirës, duke ia atribuar pritshmëritë ciklit biologjik të ullirit dhe shërbimeve të kryera në ullishte.

Sipas përfaqësuesve të fermerëve, mungesa e mekanizimit mbetet një nga pengesat kryesore për rritjen e mëtejshme të prodhimit. Ndërkohë, fermerët përballen edhe me stokun e vajit të pashitur nga sezoni i kaluar, ndërsa çmimet e larta kanë kufizuar shitjet.

Në vitin 2025, vaji i ullirit u grumbullua nga fabrikat me 700–720 lekë për litër, ndërsa në tregun e fermerëve për konsumatorët çmimi arriti rreth 800 lekë. Për sezonin e ri, grumbulluesit presin një ulje të çmimit për shkak të prodhimit më të lartë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se prodhimi i ullirit ka pasur luhatje të forta ndër vite. Në 2025 u prodhuan 143.3 mijë tonë, rreth 2.2% më pak se një vit më parë, ndërsa rekordi i periudhës së fundit u shënua në 2022, me 157.7 mijë tonë.

Në 2024 prodhimi ishte 146.7 mijë tonë, ndërsa në 2023 kishte rënë në 117.6 mijë tonë. Këto ndryshime pasqyrojnë ndikimin e ciklit biologjik të ullirit, kushteve klimatike dhe faktorëve që lidhen me kultivimin dhe përpunimin.

Prev Post

Kafeja pa kafeinë befason shkencëtarët:…

Next Post

Treni Tiranë-Durrës-Rinas në fazën finale,…

post-bars

Leave a Comment