Shqipëria ngrohet më pak se Europa: konsumi familjar i energjisë ndër më të ulëtit

Shqipëria ngrohet më pak se Europa: konsumi familjar i energjisë ndër më të ulëtit

Shqipëria renditet ndër vendet europiane me konsumin më të ulët të energjisë në familje, sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2024. Konsumi final për banor ishte 220 kilogramë ekuivalent nafte (kgoe), më pak se gjysma e mesatares së Bashkimit Europian prej 507 kgoe.

Në këtë renditje, Shqipëria lë pas vetëm Maltën, ndërsa konsumi është më i ulët edhe krahasuar me vendet e rajonit. Maqedonia e Veriut regjistroi 261 kgoe për banor, Mali i Zi 472, Serbia 508 dhe Bosnjë-Hercegovina 513.

Niveli i ulët lidhet edhe me mënyrën se si ngrohen banesat. Në Shqipëri përdorimi i druve, qymyrit dhe lëndëve të tjera të ngurta mbetet i përhapur në disa zona, ndërsa në qarqe të tjera familjet mbështeten më shumë te energjia elektrike. Një pjesë e familjeve nuk disponon fare sistem ngrohjeje, çka ndikon drejtpërdrejt në konsumin për banor.

Ndryshimi me Europën është i dukshëm: në BE, 61.5% e energjisë së përdorur nga familjet në vitin 2024 shkoi vetëm për ngrohjen e banesave, ndërsa 15.6% për ngrohjen e ujit dhe 14.8% për ndriçimin dhe pajisjet elektrike.

Në Shqipëri, shpenzimet për banesën, ku përfshihen energjia, uji, karburantet dhe qiraja, përbënin 9.6% të buxhetit mujor të familjeve në vitin 2024, me një mesatare prej 8,944 lekësh në muaj.

Konsumi i ulët, megjithatë, nuk nënkupton domosdoshmërisht përdorim më efikas të energjisë. Mungesa e sistemeve të përshtatshme të ngrohjes dhe pamundësia e një pjese të familjeve për të ngrohur banesat mbeten ndër faktorët që ndikojnë në këtë nivel të ulët konsumi.

Prev Post

Europa përballet me një pengesë…

Next Post

320 mijë shqiptarë mbeten jashtë…

post-bars

Leave a Comment