320 mijë shqiptarë mbeten jashtë internetit, ndërsa jeta po zhvendoset online
Shqipëria po bëhet gjithnjë e më digjitale, por një pjesë e konsiderueshme e popullsisë ende nuk përdor internetin. Sipas raportit “Digital 2026: Albania”, rreth 2.45 milionë persona përdornin internetin në tetor 2025, ose 88.4% e popullsisë, ndërsa rreth 320 mijë shqiptarë mbeteshin offline.
Zgjerimi i aksesit duket se po ngadalësohet. Numri i përdoruesve ra me rreth 18 mijë persona krahasuar me tetorin 2024, ndërsa norma e penetrimit mbeti në të njëjtin nivel.
Të dhënat e INSTAT për vitin 2025 tregojnë se 87.2% e shqiptarëve të moshës 16–74 vjeç përdornin internetin, nga 86.2% një vit më parë. Pothuajse të gjithë përdoruesit janë aktivë çdo ditë, ndërsa interneti po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për shërbimet publike dhe aktivitetin ekonomik.
Rreth 99.5% e kësaj grupmoshe ka një llogari në e-Albania, ndërsa 45.4% kishte bërë të paktën një blerje online gjatë 12 muajve të fundit. Po rritet edhe përdorimi i internet banking, kërkimi për produkte e shërbime dhe aktiviteti në rrjetet sociale.
Kjo e bën hendekun digjital më të rëndësishëm se thjesht mungesa e aksesit në internet. Për ata që mbeten offline, kufizohet edhe mundësia për të përdorur shërbime publike, banka, tregtinë online dhe një pjesë gjithnjë e më të madhe të aktiviteteve të përditshme.