Shqiptarët e Luginës së Preshevës në një listë për zgjedhjet në Serbi

Shqiptarët e Luginës së Preshevës në një listë për zgjedhjet në Serbi

Tetë subjekte politike shqiptare kanë rënë dakord të garojnë së bashku në zgjedhjet e 25 tetorit, me listën “Koalicioni Shqiptar”.

Partitë politike shqiptare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të garojnë në një listë të përbashkët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit në Serbi.

Marrëveshja u arrit pas takimit të përfaqësuesve të partive shqiptare me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë. Kurti njoftoi se subjektet do të garojnë nën emrin “Koalicioni Shqiptar”, pas një serie diskutimesh për bashkimin e qëndrimeve dhe koordinimin e veprimeve.

Në koalicion janë përfshirë PVD e Shaip Kamberit, APN e Visar Memetit, PD e Nagip Arifit, PDSH e Agim Sabedinit, LPD e Shqiprim Musliut, LR e Sami Salihut, AL e Armend Aliut dhe UDSH e Naser Azirit.

Aktualisht, Shaip Kamberi është deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë. Përmes garimit në një listë të përbashkët, partitë shqiptare synojnë të rrisin përfaqësimin e komunitetit shqiptar në institucionin që ka 250 vende.

Kurti e shoqëroi marrëveshjen me kërkesën për një trajtim të barabartë të të drejtave politike të shqiptarëve në Serbi. Ai krahasoi përfaqësimin e shqiptarëve në Serbi me atë të komunitetit serb në Kosovë, duke argumentuar se shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të duhej të kishin të garantuara së paku pesë vende në parlamentin serb.

“Bashkimi politik te Koalicioni Shqiptar sigurisht që nuk është i mjaftueshëm. Asimetria e të drejtave është po ashtu padrejtësi”, shkroi Kurti.

Sipas tij, bashkimi i subjekteve politike është vetëm hapi i parë, ndërsa përfaqësimi në institucionet e Serbisë duhet të shoqërohet me angazhim për të drejtat dhe nevojat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi do të mbahen më 25 tetor 2026. Në zonën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës jeton një komunitet i konsiderueshëm shqiptar.

Prev Post

Kurti kërkon mobilizim për Apelin…

Next Post

Alzheimeri si “diabet i tipit…

post-bars

Leave a Comment