Kurti kërkon mobilizim për Apelin e ish-krerëve të UÇK-së: Kosova nuk duhet të humbasë kohë
Pas vendimit të Gjykatës Speciale, kryeministri kërkon bashkërendim mes politikës, mbrojtjes dhe ekspertëve juridikë, ndërsa e lidh situatën edhe me nevojën për stabilitet institucional.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se institucionet e vendit do të angazhohen për fazën e Apelit pas vendimit të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti tha se qëndrimi i institucioneve duhet të shoqërohet me koordinim të ngushtë me ekipet mbrojtëse dhe ekspertët e fushës. Sipas tij, veprimet politike duhet të jenë të harmonizuara në mënyrë që të mos ndikojnë në procesin gjyqësor.
“Do të bëjmë gjithçka dimë e mundemi, bashkë me kolegët nga Qeveria dhe jo vetëm, për korrigjimin e këtij aktgjykimi kur të vijë apeli”, deklaroi Kurti.
Reagimi i kryeministrit vjen pas vendimit të 16 shtatorit, me të cilin Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet. Në total, dënimet arrijnë në 81 vite burgim.
Kurti përmendi gjithashtu deklaratën e përbashkët të miratuar në Kuvendin e Kosovës me 99 vota pro, duke e cilësuar atë si një pikënisje për një bashkëpunim më të madh mes subjekteve politike.
Në fjalën e tij, kryeministri e lidhi situatën e krijuar pas aktgjykimit edhe me zhvillimet e brendshme politike. Ai tha se Kosova ka nevojë për funksionim të qëndrueshëm të institucioneve dhe se një tjetër krizë politike do ta vështirësonte përballimin e sfidave që janë përpara.
“Duhet ta kuptojmë qartë, nuk kemi nevojë të shkojmë pandërprerë dhe pa numër herë në zgjedhje vetëm për t’u kthyer në pikën e njëjtë”, tha Kurti.
Sipas tij, prioritet duhet të jetë përgatitja e një qasjeje të përbashkët shtetërore, përfshirë mbrojtjen juridike dhe diplomatike në vazhdim të procesit.
Në të njëjtën kohë, Kosova ndodhet përballë një afati tjetër të rëndësishëm institucional. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar 6 tetorin si afatin deri kur Kuvendi duhet të zgjedhë presidentin e ri. Nëse kjo nuk arrihet, vendi shkon në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.