Ndryshon Kodi i Procedurës Penale, Rama: Arresti me burg të jetë masa e fundit

Ndryshon Kodi i Procedurës Penale, Rama: Arresti me burg të jetë masa e fundit

Qeveria propozon një paketë të re ndryshimesh në Kodin e Procedurës Penale, e cila prek rreth 1/5 e dispozitave dhe synon të kufizojë përdorimin e paraburgimit, duke forcuar njëkohësisht garancitë për personat që përballen me një proces penal.

Gjatë prezantimit të paketës, kryeministri Edi Rama tha se një nga ndryshimet kryesore lidhet me masat e sigurisë. Sipas propozimit, për veprat penale me dënim maksimal deri në 3 vjet, si rregull, nuk do të caktohen masa shtrënguese, ndërsa për veprat me dënim maksimal deri në 5 vjet nuk do të aplikohet arresti me burg.

Rama tha se procedura duhet të nisë nga liria dhe jo nga burgimi, duke e vendosur arrestin me burg si alternativën e fundit, vetëm kur masat e tjera nuk janë të mjaftueshme.

“Gjykata duhet të nisë nga liria, të shqyrtojë masat më të buta, të vlerësojë arrestin në shtëpi dhe të arrijë te burgu vetëm kur çdo alternativë tjetër është e pamjaftueshme”, u shpreh Rama.

Paketa parashikon gjithashtu që heshtja e personit apo mospranimi i akuzës të mos përdoren si tregues rrezikshmërie. Sipas Ramës, rreziku duhet të jetë konkret dhe gjykata duhet të kryejë një vlerësim të pavarur të rrethanave të çdo rasti.

Një tjetër ndryshim lidhet me arsyetimin e vendimeve gjyqësore. Rama tha se nëse gjykata thjesht kopjon argumentet e prokurorit, vendimi duhet të konsiderohet i pavlefshëm dhe mund të lindë edhe përgjegjësi disiplinore për gjyqtarin. Po ashtu, në rastet e arrestit, gjykata duhet të shqyrtojë edhe mundësinë e garancisë pasurore.

Në fokus të paketës janë edhe kohëzgjatja e paraburgimit dhe mbikëqyrja e vazhdimit të masave të sigurisë. Sipas Ramës, në Shqipëri paraburgimi zgjat mesatarisht 253 ditë, ndërsa në vendet e Bashkimit Europian mesatarja është rreth 155 ditë. Për çështjet që shqyrtohen nga Gjykata e Posaçme, kohëzgjatja mund të arrijë në 616 ditë ose më shumë se një vit e tetë muaj.

Rama iu referua edhe të dhënave të Këshillit të Europës, sipas të cilave 62% e personave që ndodhen në burgjet shqiptare janë të paraburgosur. Në nivel europian, kjo shifër është rreth 26%.

Sipas qeverisë, ndryshimet synojnë afrimin e praktikës shqiptare me standardet europiane dhe me jurisprudencën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, në kuadër edhe të angazhimeve të Shqipërisë për Kapitullin 23 të negociatave me BE-në.

Paketa e re paraqitet si një ndërhyrje për të vendosur një ekuilibër më të madh mes ushtrimit të pushtetit penal dhe mbrojtjes së të drejtave të individit.

Prev Post

Miliona raste kanceri lidhen me…

Next Post

Kurti kërkon mobilizim për Apelin…

post-bars

Leave a Comment