Mishi brazilian largohet nga tregu, çmimet mund të rriten deri në 40%

Mishi brazilian largohet nga tregu, çmimet mund të rriten deri në 40%

Ndërprerja e importeve nga Brazili pritet të sjellë rritje të kostove për mishin e pulës dhe të viçit, me efektet më të dukshme në treg që priten nga nëntori dhe dhjetori.

Prej 3 shtatorit 2026, Shqipëria nuk lejon më importin e mishit të gjedhit dhe shpendëve nga stabilimente braziliane që nuk plotësojnë kushtet e reja të përcaktuara sipas rregullave europiane. Përpunuesit thonë se ndikimi nuk është reflektuar ende plotësisht në çmimet e konsumatorit, pasi po përdoren furnizimet e kontraktuara para hyrjes në fuqi të ndryshimeve.

Sipas përpunuesve, rezervat mund të mjaftojnë gjatë shtatorit dhe tetorit, ndërsa rritja e kostove pritet të bëhet më e dukshme nga nëntori. Për disa produkte, rritja e çmimeve mund të variojë nga 12% deri në 40%.

Një nga produktet më të ekspozuara është filetoja e pulës. Çmimi me shumicë aktualisht luhatet rreth 320-330 lekë/kg, ndërsa me furnizimet nga tregje të tjera europiane mund të arrijë deri në 450 lekë/kg. Ukraina dhe Rumania përmenden si alternativa, por përpunuesit thonë se çmimet e tyre janë rreth 30-40% më të larta se ato të furnizimeve braziliane.

Edhe mishi i viçit pritet të pësojë rritje. Përpunuesit vlerësojnë se furnizimi nga tregjet europiane kushton rreth 19% më shumë, çka mund të sjellë rritje të kostove të produkteve dhe nënprodukteve me rreth 12-13%.

Në pakicë, mishi i freskët i viçit aktualisht shitet rreth 1,300-1,350 lekë/kg. Sipas përpunuesve, çmimi mund të rritet me 300-400 lekë, duke arritur në rreth 1,600-1,700 lekë/kg.

Brazili ka qenë një nga furnizuesit kryesorë të tregut shqiptar. Sipas të dhënave të INSTAT, importet e mishit dhe të brendshmeve të ngrënshme për periudhën janar-gusht 2026 arritën në rreth 10.7 milionë tonë, ndërsa Brazili përbënte 33% të sasisë së importuar.

Ndryshimet lidhen me rregullat e reja europiane për produktet me origjinë shtazore. Rregullorja Zbatuese e Komisionit Europian (BE) 2026/1189 ndryshoi rregullat për vendet dhe stabilimentet e autorizuara për eksport drejt BE-së, ndërsa Shqipëria e lidh importin e mishit nga Brazili me këtë listë përmes Urdhrit nr. 294/2006.

Prev Post

Tatimet vendosin afatin për POS-et,…

Next Post

BE rishikon zgjerimin/ Më shumë…

post-bars

Leave a Comment