Tatimet vendosin afatin për POS-et, bizneset duhet të pajisen deri më 31 dhjetor
Administrata Tatimore u kërkon tatimpaguesve që kryejnë shitje me para në dorë dhe nuk përfshihen në kategoritë e përjashtuara apo në ato me afate të përcaktuara më herët, të instalojnë terminale POS/POI në çdo pikë shitjeje.
Detyrimi hyn në fuqi brenda datës 31 dhjetor 2026 dhe mbështetet në nenin 59/3 të ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Sipas Tatimeve, nga ky detyrim përjashtohen bizneset që ushtrojnë aktivitet ekonomik në zona ku nuk ka mbulim me internet, subjektet që nuk kanë detyrim të lëshojnë faturë sipas legjislacionit për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit, si dhe disa kategori të caktuara të të vetëpunësuarve.
Në këtë të fundit përfshihen tatimpaguesit që nuk janë subjekt i TVSH-së, kanë përgjegjësi tatimore për tatimin mbi të ardhurat personale nga biznesi, nuk kanë më shumë se një vendndodhje ku ushtrojnë aktivitetin dhe kanë statusin e punësimit “I vetëpunësuar i vetëm”.
Administrata Tatimore thekson se përdorimi i terminaleve POS/POI synon të lehtësojë pagesat elektronike dhe t’u ofrojë klientëve një mënyrë më të shpejtë e më të përshtatshme pagese. Sipas saj, këto pajisje kontribuojnë gjithashtu në rritjen e transparencës së transaksioneve dhe në reduktimin e përdorimit të parasë fizike, me synim formalizimin më të madh të aktivitetit ekonomik.
Tatimpaguesit që janë subjekt i këtij detyrimi duhet të marrin masat përkatëse dhe të pajisen me terminalet POS/POI brenda afatit të përcaktuar, 31 dhjetor 2026.