16 kulla mbi 15 kate marrin leje nga KKTU, Tirana dominon projektet e reja
Projektet përfshijnë godina rezidenciale, hotele dhe struktura shërbimi në Tiranë dhe zonat bregdetare.
Të paktën 16 projekte me ndërtesa 15-katëshe ose më të larta janë përfshirë në vendimet e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit. Projektet, të miratuara në mbledhjet e fundit të KKTU-së, shtrihen kryesisht në Tiranë, por përfshijnë edhe zona bregdetare si Durrësi, Vlora dhe Shëngjini.
Lejet e miratuara lidhen me zhvillime të reja, leje ndërtimi dhe rishikime të kushteve të ndërtimit. Në projektet e listuara përfshihen godina banimi, struktura shërbimi, hotele dhe komplekse me funksione të kombinuara.
Tirana zë pjesën më të madhe të listës dhe përfshin disa prej projekteve më të larta. Ndër to është Garda Tower, për të cilën është miratuar rishikimi i kushteve të ndërtimit dhe që parashikon 43 kate mbi tokë. Një tjetër projekt me lartësi të konsiderueshme është M-21, një godinë me funksione shërbimi dhe banimi, e parashikuar me 26 kate.
Në kryeqytet janë përfshirë gjithashtu Elite Tower, me struktura që arrijnë deri në 24 kate, Vertical Village, me deri në 23 kate, si dhe disa projekte të tjera me lartësi që variojnë nga 15 deri në 19 kate.
Një nga projektet që spikat në listë është edhe Rijetëzimi i Stadiumit “Selman Stërmasi”. Zhvillimi parashikon dy struktura të veçanta. E para është një strukturë shërbimi dhe hotelerie me 23 kate, ndërsa e dyta një strukturë shërbimi dhe banimi me 25 kate. Projekti është pjesë e nismës së zhvillimit të zonës përmes Korporatës Shqiptare të Investimit.
Lista nuk kufizohet vetëm në kryeqytet. Në Durrës është miratuar një kompleks rezidencial dhe shërbimesh që përfshin struktura deri në 20-21 kate. Në Vlorë parashikohen godina që arrijnë deri në 16 kate, ndërsa në Shëngjin është miratuar projekti Duna, me një godinë shërbimi dhe banimi deri në 15 kate mbi tokë.
Projektet e miratuara
Mes projekteve të përfshira në vendimet e KKTU-së janë:
- Rijetëzimi i Stadiumit “Selman Stërmasi” – Tiranë: struktura shërbimi dhe hotelerie deri në 23 kate dhe strukturë shërbimi e banimi deri në 25 kate.
- Invest Society – Tiranë: godinë shërbimi dhe banimi deri në 15 kate mbi tokë, me katër nivele parkimi nëntokë.
- Elbavo – Tiranë: godinë banimi, shërbimi dhe hotelerie me struktura deri në 19 kate.
- Vertical Village – Tiranë: objekt banimi dhe shërbimesh nga 8 deri në 23 kate.
- Uzina Residence – Tiranë: rezidencë 16-katëshe.
- Elite Tower – Tiranë: godinë banimi dhe shërbimi me struktura deri në 24 kate.
- Kompleks rezidencial dhe shërbimesh – Durrës: struktura deri në 20-21 kate.
- Scarlet Tower – Tiranë: kompleks me funksione shërbimi dhe rezidenciale, me struktura deri në 15 kate.
- Vertical Community – Tiranë: objekt rezidencial dhe shërbimesh me struktura deri në 18 kate.
- M-21 – Tiranë: objekt shërbimi dhe banimi me 26 kate.
- Garda Tower – Tiranë: objekt banimi, hotelerie dhe shërbimesh me 43 kate.
- Godinë banimi dhe shërbimesh – Vlorë: strukturë deri në 16 kate.
- Objekt banimi dhe shërbimi – Tiranë: struktura deri në 16 kate.
- Godina banimi dhe shërbimi – Kamëz: struktura deri në 16 kate.
- The Wave – Rrogozhinë: apart-hotel me 15 kate mbi tokë dhe dy kate nëntokë.
- Duna – Shëngjin: godinë shërbimi dhe banimi deri në 15 kate mbi tokë dhe dy kate nëntokë.
Përveç ndërtimeve shumëkatëshe, vendimet e KKTU-së përfshijnë edhe projekte në infrastrukturë dhe energji. Në këtë kategori janë përfshirë investime për prodhimin e energjisë elektrike, mes tyre hidrocentrale dhe impiante fotovoltaike me kapacitete të ndryshme.
Të dhënat e vendimeve të fundit tregojnë një përqendrim të dukshëm të projekteve shumëkatëshe në Tiranë, ndërsa një pjesë tjetër e zhvillimeve të larta lidhet me qytetet dhe zonat bregdetare. Lista përfshin si projekte të reja, ashtu edhe rishikime të kushteve të ndërtimit për zhvillime ekzistuese.