Stacioni i trenit në Rinas, shpallet fituesi për ndërtimin
Hekurudha Shqiptare ka shpallur kompaninë fituese për projektimin e detajuar dhe ndërtimin e godinës së stacionit hekurudhor në Aeroportin e Rinasit, duke i hapur rrugë lidhjes së kontratës.
Kompania Hastoçi ka paraqitur ofertën prej rreth 81 milionë lekësh pa TVSH, ndërsa fondi limit i tenderit ishte 91.6 milionë lekë. Në garë morën pjesë gjashtë operatorë ekonomikë, ndërsa procedura ishte pezulluar pas një ankese për skualifikim.
Komisioni i Prokurimit Publik e rrëzoi ankesën, duke vlerësuar se dokumentacioni i operatorit nuk përmbushte kërkesat e tenderit dhe duke lejuar vijimin e procedurës.
Stacioni i Rinasit është pjesë e linjës Tiranë–Durrës–Aeroporti i Rinasit. Projekti parashikon edhe aksesin në platformat e pasagjerëve, hapësira për këmbësorët, parkimin dhe zonat për taksi e autobusë.
Linja pritet të nisë operimin në fund të vitit 2027, ndërsa ky afat nuk përfshin ndërtimin e segmentit prej 4 kilometrash që do të rikthejë stacionin hekurudhor në Tiranë.