Mbetjet urbane, Vlora në krye: 610 kg për banor gjatë vitit 2024

Mbetjet urbane, Vlora në krye: 610 kg për banor gjatë vitit 2024

Qarku bregdetar regjistroi nivelin më të lartë të mbetjeve të menaxhuara për banor në vend, ndërsa Tirana dhe Durrësi renditen pas saj. Diferencat me qarqet e tjera janë të ndjeshme, veçanërisht me zonat e brendshme të vendit.

Vlora kryeson renditjen për sasinë e mbetjeve urbane të menaxhuara për banor në Shqipëri. Gjatë vitit 2024, në këtë qark u menaxhuan mesatarisht 609,8 kilogramë mbetje për banor, rreth 69% më shumë se mesatarja kombëtare prej 360 kilogramësh.

Pas Vlorës renditet Tirana, me 451,9 kilogramë për banor, ndërsa Durrësi regjistroi 416 kilogramë. Mbi mesataren kombëtare ishte edhe Lezha, me 373,1 kilogramë për banor.

Në anën tjetër të renditjes janë qarqet me sasinë më të ulët të mbetjeve të menaxhuara për banor. Dibra regjistroi 179,9 kilogramë, më pak se gjysmën e mesatares së vendit. Pas saj vijnë Elbasani me 219,6 kilogramë dhe Gjirokastra me 242,1 kilogramë për banor.

Të dhënat marrin një tjetër dimension kur krahasohet sasia totale me atë për frymë. Tirana përfaqëson rreth 39,8% të të gjitha mbetjeve urbane të menaxhuara në vend, ndërsa Vlora 10,4%. Megjithatë, kur shifrat llogariten në raport me numrin e banorëve, Vlora renditet e para.

Një element që mund të ndikojë në këtë diferencë është aktiviteti turistik. Vlora dhe Durrësi përballen gjatë muajve të verës me një fluks të konsiderueshëm vizitorësh, çka rrit numrin real të personave që qëndrojnë dhe konsumojnë në këto zona. Për pasojë, sasia e mbetjeve të krijuara mund të ndikohet nga një popullsi sezonale më e madhe se ajo rezidente mbi të cilën bazohen llogaritjet për banor.

Megjithatë, të dhënat për mbetjet nuk përcaktojnë vetë shkakun e diferencave mes qarqeve. Lidhja mes turizmit dhe rritjes së mbetjeve për banor mbetet një faktor që kërkon analizë të mëtejshme, veçanërisht për qarqet bregdetare.

Në nivel kombëtar, gjatë vitit 2024 u gjeneruan rreth 940 mijë tonë mbetje urbane. Nga kjo sasi, 91,6% u menaxhua.

Vlora shënoi gjithashtu një nga nivelet më të larta të menaxhimit të mbetjeve të gjeneruara. Në këtë qark u menaxhua rreth 96% e mbetjeve urbane, duke e renditur ndër qarqet me performancën më të lartë në këtë tregues.

Prev Post

Shqipëria ka 28 mijë gra…

Next Post

13 medalje për Kosovën në…

post-bars

Leave a Comment