Shqipëria ka 28 mijë gra më shumë se burra, INSTAT publikon të dhënat e 2025
Edhe pse në Shqipëri lindin më shumë djem, numri i grave në popullsinë banuese është më i lartë. Emigracioni i meshkujve dhe jetëgjatësia më e madhe e grave ndikojnë në ndryshimin e raportit gjinor.
Në fund të vitit 2025, në Shqipëri jetonin 1,18 milionë gra dhe rreth 1,15 milionë burra. Sipas të dhënave të INSTAT, gratë përbënin 50,6% të popullsisë banuese, ndërsa burrat 49,4%, me një diferencë prej rreth 28 mijë personash.
Raporti ndryshon që në lindje, ku djemtë vijojnë të jenë më të shumtë. Gjatë vitit 2025 u regjistruan 22.541 lindje të gjalla dhe raporti gjinor ishte 108 djem për çdo 100 vajza. Megjithatë, në totalin e popullsisë pesha e grave është më e lartë, ndërsa ndër faktorët që ndikojnë në këtë strukturë janë emigracioni më i madh i meshkujve dhe jetëgjatësia më e lartë e femrave.
Të dhënat e INSTAT tregojnë gjithashtu dallime të dukshme mes grave dhe burrave në arsim dhe në tregun e punës. Në arsimin e lartë, 65,3% e personave të diplomuar në vitin akademik 2024-2025 ishin vajza. Gratë përbënin gjithashtu shumicën e stafit mësimor në arsimin 9-vjeçar dhe atë të mesëm të lartë.
Në tregun e punës, situata paraqitet ndryshe. Për grupmoshën 15-64 vjeç, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës ishte 82,7% për burrat dhe 70,1% për gratë, ndërsa shkalla e punësimit ishte përkatësisht 76% dhe 62,7%. Papunësia ishte 10,6% te gratë dhe 8,2% te burrat.
Bujqësia vijon të jetë sektori ku punësohet pjesa më e madhe e grave, me 38,4% të grave të punësuara. Ndërkohë, 25% e grave të punësuara të moshës 15-64 vjeç rezultonin punëtore pa pagesë në biznesin e familjes.
Edhe në paga vijon të ketë diferencë mes gjinive. Në vitin 2025, hendeku gjinor në paga ishte 4,6%, që do të thotë se paga mesatare mujore bruto e grave ishte në këtë masë më e ulët se ajo e burrave.
Në vendimmarrje, gratë përbënin 35% të deputetëve të Kuvendit në vitin 2025, me 49 gra nga 140 deputetë. Në të njëjtin vit, 31,6% e ndërmarrjeve aktive kishin gra si pronare ose administratore.
Të dhënat sociale tregojnë gjithashtu diferenca në kushtet ekonomike të familjeve. Në vitin 2024, shpenzimet mesatare mujore për konsum ishin 96.359 lekë për familjet me kryefamiljar burrë dhe 76.235 lekë për familjet me kryefamiljare grua. Ndërkohë, rreziku për të qenë i varfër ishte 19,5% për gratë dhe 18,9% për burrat.
Në fushën e shëndetësisë, sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut mbetën shkaku kryesor i vdekjeve për të dyja gjinitë gjatë vitit 2025. Gratë përbënin gjithashtu 69,1% të përfituesve të pensioneve rurale dhe 48,4% të përfituesve të pensioneve urbane.
Raporti gjinor ndryshon edhe në arsimimin dhe zgjedhjet profesionale. Vajzat e diplomuara dominuan në fusha si shëndeti dhe mirëqenia, biznesi, administrimi dhe ligji, ndërsa te djemtë peshën më të madhe e zinin inxhinieria, prodhimi dhe ndërtimi, si dhe teknologjia e informacionit dhe komunikimit.