Pensionet private, më shpejt të drejta mbi kontributet: periudha ulet nga 5 në 3 vjet

Pensionet private, më shpejt të drejta mbi kontributet: periudha ulet nga 5 në 3 vjet

Punonjësit që përfitojnë nga skemat private të pensionit të financuara edhe nga punëdhënësi do të kenë më herët të drejta mbi kontributet e derdhura për ta, ndërsa ndryshimet e reja parashikojnë më shumë mbrojtje dhe transparencë për kursimet afatgjata.

Periudha që një punonjës duhet të presë për të fituar të drejtën mbi kontributet e paguara nga punëdhënësi në fondet e pensionit privat me pjesëmarrje të mbyllur pritet të shkurtohet nga 5 në 3 vjet. Ndryshimi është pjesë e projektligjit për fondet e pensionit privat dhe lidhet me të ashtuquajturën “vesting period”.

Me rregullat e propozuara, pas përfundimit të tre viteve punëmarrësi fiton të drejtën mbi kontributet e paguara nga punëdhënësi. Këto të drejta do të ruhen edhe në rast se marrëdhënia e punës ndërpritet dhe punonjësi nuk vijon më të kontribuojë në skemë.

Projektligji parashikon që të drejtat e krijuara deri në momentin e largimit nga puna të konsiderohen të fituara dhe të mos humbasin. Edhe në rast të ndërprerjes së përkohshme ose të përhershme të kontributeve, personi do të vijojë të jetë anëtar i fondit dhe të gëzojë të drejtat që burojnë prej tij.

Një tjetër ndryshim lidhet me detyrimin e punëdhënësit për të informuar punonjësin përpara anëtarësimit në skemë. Punonjësit duhet t’i shpjegohet se si trajtohen të drejtat e tij mbi pensionin privat në rast të përfundimit të marrëdhënies së punës.

Më shumë informacion do të përmbajnë edhe dokumentet periodike që marrin anëtarët e fondeve. Përveç gjendjes së kursimeve, dokumenti duhet të përfshijë edhe një parashikim të përfitimit të ardhshëm të pensionit, duke paraqitur të paktën dy skenarë: një bazë dhe një skenar të pafavorshëm.

Informimi do të intensifikohet edhe në prag të daljes në pension. Anëtari duhet të marrë informacion jo më vonë se tre vjet përpara arritjes së moshës së pensionit, ndërsa një tjetër informacion i përditësuar duhet t’i dërgohet tre muaj përpara kësaj moshe.

Projektligji vendos gjithashtu rregulla për ndarjen e aktiveve të fondeve të pensionit nga punëdhënësi që sponsorizon skemën. Në rast falimentimi të sponsorit, aktivet e fondit do të mbeten të ndara nga pasuria e tij. Po ashtu, kursimet e fondit nuk mund të përdoren për shlyerjen e detyrimeve të shoqërisë administruese dhe nuk përfshihen në procedurat e falimentimit të saj.

Skemat profesionale mund të ofrojnë edhe përfitime të tjera përveç pensionit të pleqërisë. Në rregullat e skemës mund të parashikohen përfitime në rast vdekjeje, paaftësie, për të mbijetuarit apo përfitime të tjera shtesë.

Ndryshimet prekin edhe punonjësit që lëvizin jashtë Shqipërisë. Kuadri i ri parashikon ruajtjen e të drejtave të fituara të pensionit dhe mundësinë e pagesës së përfitimeve edhe kur anëtari ose përfituesi jeton në një shtet tjetër të Bashkimit Europian. Këto dispozita do të zbatohen me anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Reforma synon përafrimin e kuadrit shqiptar të pensioneve private me rregullat europiane, duke vendosur më shumë garanci për kursimet e punonjësve, transparencën e informacionit dhe ruajtjen e të drejtave të krijuara gjatë viteve të punës.

Prev Post

Skemë e re për ndërtimet,…

Next Post

Shqipëria ka 28 mijë gra…

post-bars

Leave a Comment