Nafta zbret në 219 lekë, benzina në 195 lekë/ Bordi i Transparencës merr vendimin e parë
Pas rikthimit të Bordit të Transparencës, çmimet e karburanteve pësojnë ulje. Vendimi hyn në fuqi sot në orën 16:00 dhe mbetet në fuqi deri në mbledhjen e radhës.
Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja të karburanteve pas rritjes së fortë të tyre ditët e fundit.
Nafta do të shitet me pakicë me një çmim jo më të lartë se 219 lekë për litër, nga 229 lekë që ishte më parë. Ndërkohë, benzina zbret në 195 lekë për litër, nga 219 lekë.
Për shitjen me shumicë, çmimi maksimal është përcaktuar në 207 lekë për litër për naftën dhe 183 lekë për litër për benzinën.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi sot, më 19 shtator, në orën 16:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit. Autoritetet kanë paralajmëruar se operatorët që shkelin vendimin mund të përballen me pezullim të aktivitetit.
Bordi u rikthye tre ditë më parë, pas vendimit të qeverisë për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve.