Zjarret e verës, Shqipëria përballë 81 emergjencave masive
Mbi 14,600 forca dhe rreth 1,350 mjete janë angazhuar në terren deri më 9 shtator, ndërsa ekspertët kërkojnë që siguria nga zjarri të nisë që në projektimin e ndërtesave.
Të dhënat e këtij viti për situatën e zjarreve kanë rikthyer në vëmendje nevojën për masa më të forta parandaluese. Deri më 9 shtator, në vend janë evidentuar 81 zjarre masive, për menaxhimin e të cilave janë angazhuar mbi 14,600 forca, rreth 1,350 mjete tokësore dhe janë zhvilluar 180 operacione ajrore.
Shifrat u bënë publike në konferencën ndërkombëtare “Tirana Fire Safety 2026”, e cila mbledh në Tiranë ekspertë, institucione dhe përfaqësues të sektorëve të ndërtimit e teknologjisë.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, tha se menaxhimi i emergjencave nuk duhet të kufizohet vetëm te ndërhyrja pasi një ngjarje ka ndodhur. Sipas tij, ulja e rrezikut duhet të nisë shumë më herët, përmes planifikimit dhe standardeve të sigurisë.
Një prej pikave të ngritura lidhet me ndërtesat dhe zhvillimin urban. Sipas ministrit, masat kundër zjarrit duhet të parashikohen që në fazën e projektimit, veçanërisht përballë strukturave gjithnjë e më të mëdha dhe komplekse.
Në përballimin e situatave të këtij viti janë përfshirë Forcat e Armatosura, shërbimet zjarrfikëse, Policia e Shtetit, pushteti vendor, strukturat pyjore, administratat e zonave të mbrojtura dhe vullnetarë.
Konferenca synon gjithashtu të afrojë institucionet publike me sektorin privat për çështjet e inspektimeve, standardeve të sigurisë, projektimit dhe përdorimit të teknologjive të reja.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së u veçua si një tjetër mundësi për trajnime dhe forcimin e kapaciteteve në përputhje me praktikat evropiane.
“Tirana Fire Safety 2026” do të vijojë për dy ditë me diskutime mes ekspertëve ndërkombëtarë, inxhinierëve, autoriteteve publike dhe përfaqësuesve të industrisë.