Aktgjykimi në Hagë: Dënime të rënda për Thaçin, Veselin dhe Krasniqin
Dhomat e Specializuara në Hagë kanë shpallur sot aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vjet burgim, pasi trupi gjykues e shpalli penalisht përgjegjës për disa krime lufte, përfshirë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm.
Me 25 vjet burgim është dënuar edhe Jakup Krasniqi. Sipas aktgjykimit, ai është shpallur fajtor për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Kadri Veseli është dënuar me 18 vjet burgim. Gjykata e shpalli fajtor për krime lufte që lidhen me ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.
Katër ish-krerët e UÇK-së ishin akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë përndjekje, burgosje, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë. Ata i kanë mohuar vazhdimisht akuzat ndaj tyre.
Në procesin gjyqësor, Prokuroria kishte kërkuar dënim me nga 45 vjet burgim për secilin prej të akuzuarve, ndërsa mbrojtja kishte kërkuar shpalljen e tyre të pafajshëm.
Në pjesën tjetër të aktgjykimit, trupi gjykues i shpalli të katër ish-krerët të pafajshëm për krime kundër njerëzimit.
Aktgjykimi i sotëm është vendim i shkallës së parë dhe ndaj tij palët kanë të drejtë ankese.