Papunësia bie në 8.3%, por Shqipëria humbet vende pune në bujqësi dhe industri
Tregu i punës po ndryshon strukturë: shërbimet marrin më shumë punonjës, ndërsa bujqësia dhe industria tkurren. Në një vit, punësimi total ra me 0.9%, edhe pse papunësia zbriti në nivelin 8.3%.
Papunësia në Shqipëri ka zbritur në 8.3%, por shifrat e tremujorit të dytë 2026 tregojnë se tregu i punës nuk po zgjerohet në mënyrë të njëtrajtshme.
Ndërsa numri i të papunëve vijon të bjerë dhe pjesëmarrja në tregun e punës është rritur lehtë, punësimi po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt shërbimeve, në kurriz të dy sektorëve tradicionalë: bujqësisë dhe industrisë.
Sipas të dhënave të INSTAT, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për grupmoshën 15-64 vjeç arriti në 76.3% në tremujorin e dytë të vitit. Treguesi është rritur me 0.1 pikë përqindjeje si në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2025, ashtu edhe krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti.
Papunësia zbret, por punësimi vjetor është në rënie
Shkalla e papunësisë për popullsinë 15 vjeç e lart zbriti në 8.3%.
Në krahasim me tremujorin e dytë të vitit të kaluar, rënia është 0.2 pikë përqindjeje, ndërsa në raport me tremujorin e parë të vitit 2026 papunësia është ulur me 0.1 pikë.
Edhe pse shifra sinjalizon një përmirësim në tregun e punës, një tjetër tregues e bën panoramën më komplekse.
Punësimi në total është ulur me 0.9% në harkun e një viti.
Kjo do të thotë se rënia e papunësisë nuk po shoqërohet domosdoshmërisht me një rritje të numrit të përgjithshëm të vendeve të punës. Një pjesë e ndryshimit mund të lidhet edhe me emigracionin, pasi personat që largohen nga Shqipëria nuk vijojnë të konsiderohen pjesë e popullsisë së papunë në tregun vendas.
Shërbimet marrin terren
Ndryshimi më i dukshëm është ai që po ndodh mes sektorëve.
Në një vit, punësimi në shërbime është rritur me 4.2%, duke qenë i vetmi nga tre sektorët kryesorë që ka shënuar zgjerim.
Në të njëjtën periudhë, bujqësia ka humbur 5.9% të punësimit, ndërsa industria është tkurrur me 3.9%.
Pra, edhe pse ekonomia nuk po krijon më shumë vende pune në total, struktura e punësimit po ndryshon. Shërbimet po marrin një peshë më të madhe, ndërsa sektorët tradicionalë po humbasin punonjës.
Ky ndryshim është edhe më i dukshëm në krahasimin tremujor.
Nga tremujori i parë në të dytin të vitit 2026, punësimi në total u rrit me 0.6%.
Por sërish, rritja erdhi kryesisht nga shërbimet, ku punësimi u zgjerua me 1.8%.
Në të njëjtën periudhë, bujqësia shënoi rënie 0.3%, ndërsa industria 0.9%.
Punësimi është rritur tremujorin e fundit
Pavarësisht rënies vjetore, të dhënat e fundit japin një sinjal disi më pozitiv.
Shkalla e punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart ishte 58.3% në tremujorin e dytë.
Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025, kjo përbën një rënie të lehtë prej 0.1 pikë përqindjeje. Por në raport me tremujorin e parë të vitit 2026, punësimi është rritur me 0.3 pikë përqindjeje.
Kështu, tregu i punës po shfaq dy tablo në të njëjtën kohë: në krahasimin vjetor ka më pak të punësuar, ndërsa në krahasimin tremujor ka një rikuperim të lehtë.
Diferenca mes burrave dhe grave mbetet
Pabarazitë gjinore vijojnë të jenë të pranishme edhe në tregun e punës.
Meshkujt kanë ende shkallë më të lartë punësimi se femrat, duke ruajtur diferencën që karakterizon prej vitesh tregun shqiptar.
Në tërësi, të dhënat e tremujorit të dytë tregojnë një treg pune që po ndryshon më shumë në strukturë sesa në numër.
Papunësia po bie, por jo sepse të gjithë sektorët po hapin vende të reja pune. Shërbimet po zgjerojnë punësimin, ndërsa bujqësia dhe industria po humbasin punonjës. Në këtë panoramë, emigracioni dhe ndryshimet strukturore të ekonomisë mbeten dy faktorë që duhen parë për të kuptuar se çfarë fshihet pas shifrës 8.3%.