Pagat po ndryshojnë hartën e punësimit: Zanatet rriten me ritme rekord, financat mbajnë fronin

Pagat po ndryshojnë hartën e punësimit: Zanatet rriten me ritme rekord, financat mbajnë fronin

Në krye të pagave mbeten financat dhe teknologjia, por tregu po shpërblen gjithnjë e më shumë profesionet për të cilat bizneset nuk gjejnë punonjës.

Tregu shqiptar i punës po jep një sinjal të qartë: punët që po bëhen më të vështira për t’u mbushur me punonjës po shtrenjtohen më shpejt.

Në tremujorin e dytë të vitit 2026, paga mesatare bruto në Shqipëri arriti në 92,2 mijë lekë në muaj, duke u rritur me 9,8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të INSTAT.

Por pas shifrës mesatare fshihet një ndryshim më interesant. Profesionet dhe sektorët që tradicionalisht kanë qenë në nivelet më të ulëta të pagave po regjistrojnë disa nga rritjet më të forta, ndërsa aktivitetet me pagat më të larta vijojnë të ruajnë avantazhin në vlerë absolute.

Një faktor shtesë ka qenë edhe rritja e pagës minimale në prill, nga 40 mijë në 50 mijë lekë, e cila ka ushtruar presion për rritje edhe në nivelet e tjera të pagave.

Ndërtimi, rritja më e fortë

Nga aktivitetet ekonomike, është ndërtimi ai që ka regjistruar rritjen më të madhe të pagës mesatare.

Punonjësit e këtij sektori morën mesatarisht 83,6 mijë lekë në muaj, ose 22,1% më shumë se në tremujorin e dytë të vitit 2025.

Rritja vjen në një kohë kur ndërtimi vazhdon të jetë një nga sektorët më aktivë të ekonomisë shqiptare dhe ku kërkesa për punëtorë mbetet e lartë. Presioni mbi fuqinë punëtore është shtuar nga mungesa e stafit vendas, duke i detyruar bizneset të konkurrojnë më fort për punonjës.

Pas ndërtimit, rritje të konsiderueshme kanë shënuar edhe sektorë të tjerë.

Në industri, paga mesatare arriti në 77,7 mijë lekë, me një rritje vjetore prej 11,5%. Në bujqësi, pyje dhe peshkim, paga u ngjit në 61,2 mijë lekë, 10,4% më shumë se një vit më parë.

Ndërkohë, në tregti, transport, akomodim dhe shërbime ushqimore, paga mesatare ishte 74,7 mijë lekë, me një rritje prej 9,8%.

Financat mbeten kampione të pagave

Nëse pyetja është se ku paguhesh më shumë, përgjigjja mbetet e njëjtë: financat dhe sigurimet.

Paga mesatare në këtë aktivitet arriti në 187,3 mijë lekë në muaj, duke u rritur me 7,1% në terma vjetorë.

Pas tyre renditet informacioni dhe komunikacioni, ku paga mesatare ishte 143,5 mijë lekë, me rritje 8,8%.

Në administratën publike, mbrojtjen dhe sigurimet shoqërore paga mesatare arriti në 106,6 mijë lekë, 7,5% më shumë se një vit më parë.

Ndërsa në aktivitetet e pasurive të paluajtshme paga ishte 96,9 mijë lekë, me një rritje prej 9,2%.

Pra, profesionet e financës dhe teknologjisë vijojnë të paguhen më shumë, por ritmet e rritjes po përqendrohen gjithnjë e më shumë në pjesën tjetër të tregut të punës.

Zanatet po marrin vlerë

E njëjta panoramë shfaqet edhe kur pagat analizohen sipas profesionit.

Menaxherët, ligjvënësit dhe drejtuesit e lartë vijojnë të jenë grupi me pagën mesatare më të lartë, 141,2 mijë lekë, por rritja vjetore e pagës së tyre ishte vetëm 5,9%.

Specialistët me arsim të lartë u paguan mesatarisht 119,2 mijë lekë, me rritje 7,5%, ndërsa teknikët dhe specialistët në zbatim arritën në 100,5 mijë lekë, 8,6% më shumë.

Por rekordin për rritjen e pagës e mbajnë zejtarët, artizanët dhe profesionet e lidhura me to.

Paga mesatare e tyre arriti në 70,8 mijë lekë, pas një rritjeje prej plot 16% brenda një viti.

Pas tyre renditen punëtorët në profesionet elementare, me një pagë mesatare prej 61,9 mijë lekësh dhe rritje 15,1%.

Edhe punonjësit e montimit dhe përdorimit të makinerive patën një rritje të fortë, prej 14,3%, duke arritur në 71,1 mijë lekë.

Në shitje dhe shërbime, paga mesatare arriti në 71,4 mijë lekë, me rritje 12,7%.

Ndërsa punonjësit e kualifikuar të bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit vijojnë të kenë pagën më të ulët mes grupeve kryesore profesionale, me 58,6 mijë lekë, por edhe këtu rritja ishte 12,6%.

Kur mungojnë punonjësit, rritet paga

Shifrat tregojnë një lidhje të fortë mes pagave dhe vështirësisë për të gjetur punonjës.

Pikërisht profesionet ku bizneset kanë më shumë probleme për të plotësuar vendet vakante po shohin rritje më të shpejta të pagave. Kjo vlen veçanërisht për zanatet, ndërtimin, prodhimin dhe shërbimet.

Por kur rritja e pagave nuk mjafton për të mbushur boshllëqet, kompanitë po i drejtohen gjithnjë e më shumë fuqisë punëtore nga jashtë.

Deri në fund të qershorit 2026, në Shqipëri punonin 22,6 mijë shtetas të huaj, nga 18,1 mijë në fund të vitit 2025.

Filipinasit, indianët dhe egjiptianët ishin ndër grupet që kryesonin punësimet e reja. Një pjesë e konsiderueshme e tyre po angazhohen në sektorët e shërbimeve, veçanërisht në bare dhe restorante, në pozicione si kamarierë, pastrues dhe kuzhinierë, por edhe në fabrika dhe aktivitete prodhuese.

Në këtë panoramë, tregu shqiptar po krijon një paradoks të ri: financat dhe teknologjia vazhdojnë të jenë vendi ku paguhesh më shumë, ndërsa një zanat mund të jetë ndër vendet ku paga po rritet më shpejt.

Prev Post

Nga 1 tetori, 85 shkolla…

Next Post

Papunësia bie në 8.3%, por…

post-bars

Leave a Comment