Nga 1 maji, qarkullimi i mjeteve drejt aeroportit me një sens lëvizje
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar qytetarët se duke filluar nga 1 maji, qarkullimi i automjeteve në rrugën drejt aeroportit “Nënë Tereza” do të realizohet me një sens lëvizje në aksin nga Qafë Kashari-Rrethrrotullimi i “Nënë Terezës”-Ahmetaq.
Sipas ARRSH-së, mjetet që vijnë nga veriu për drejtimin në Rinas do të ndjekin lëvizjen Fushë Krujë-Vorë-Qafë Kashar-Aeroport, teksa ky vendim do të jetë për një afat të pacaktuar.
Në njoftim, ARRSH-ja thotë se ka rritje të qarkullimit të mjeteve në këtë aks, si pasojë e rritjes së fluksit të fluturimeve pas periudhës së Covid-19.
Kjo ka sjellë probleme për udhëtarët për të kapur linjat e fluturimeve në orarin e caktuar, ndaj qarkullimi i mjeteve me një sens lëvizje, do të bëhet me qëllim shmangien e vonesave për lëvizjen drejt aeroportit, si dhe rritjen e sigurisë rrugore.
/euronews.al