LOADING...

Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Shkodra, nga antikiteti në modernitet

Shkodra, nga antikiteti në modernitet

“Shkodra, nga antikiteti në modernitet” (Scodra From Antiquity to Modernity I. A Companion to the study of Scodra) me autore P. Dyczek, S. Shpuza (ed.) është vëllimi i parë i një seri të re botimesh që paraqet rezultatet e kërkimeve arkeologjike shqiptaro-polake në qytetin e Shkodrës.

Gërmimet në këtë qendër të rëndësishme janë kryer në kuadër të një bashkëpunimi mes Institutit Arkeologjik të Tiranës dhe Qendrës së Studimeve për Evropën Juglindore në Antikitet të Universitetit të Varshavës. Vëllimi përbëhet prej 400 faqesh, ka ilustrime të shumta dhe për përgatitjen e tij kanë marrë pjesë 18 arkeologë dhe specialistë të fushave të ndryshme.

Rezultatet e paraqitura në këtë vëllim i përkasin gërmimeve të kryera gjatë viteve 2011-2015. Këto gërmime kanë sjellë të dhëna të reja që ndihmojnë për të kuptuar më mirë topografinë e qytetit dhe kronologjinë e tij, si dhe i zgjerojnë ndjeshëm njohuritë tona për historinë e Shkodrës. Përveç identifikimit të shumë strukturave, gërmimet kanë nxjerrë në dritë dhe një material të pasur arkeologjik me një shtrirje të gjatë kohore, nga antikiteti deri në periudhën osmane, ku përfshihen mozaiku, mbishkrimet, qeramika, gjetjet osteologjike etj. Një rëndësi e veçantë i është kushtuar dhe historikut të kërkimeve në Shkodër si dhe analizës së hollësishme të burimeve kryesore të informacionit për qytetin antik dhe mesjetar, duke përfshirë tekstet antike dhe numizmatikën.

Ekipi që ka punuar në përgatitjen e këtij vëllimi ka synuar të analizojë të gjithë spektrin kronologjik që ofron materiali arkeologjik i Shkodrës. Për këtë arsye, në disa fusha studimi, si për shembull qeramika osmane, ky botim do të shërbejë si një referencë e rëndësishme për studimet e ardhshme, të cilat deri më sot janë të pakta në këtë fushë. Në vitet në vazhdim kjo seri pritet të pasurohet me vëllime të tjera ku do të prezantohen edhe gërmimet e bëra në sitin arkeologjik të Bushatit ku ekipi shqiptaro-polak punon që prej vitit 2018. / KultPlus.com

Prev Post

Gjendet Basilosaurus, paraardhësi 36 milionë vjeçar i balenave të sotme

Next Post

Lulzim Basha ka dhënë dorëheqjen nga kreu i Partisë Demokratike.

post-bars

Leave a Comment