Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Ndërron jetë Abdulatif Arnauti, përkthyesi më i mirë i letërsisë shqipe në gjuhën arabe

Ndërron jetë Abdulatif Arnauti, përkthyesi më i mirë i letërsisë shqipe në gjuhën arabe

Abdulatif Husejn Arnauti lindi në Damask më 1931. Ai i kreu studimet e larta dhe pas universitare në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Arabe, në Universitetin e Damaskut. Jetën e tij letrare e ka filluar në fund të viteve dyzet. Ai nisi të shkruajë poezi qysh në moshën 16 vjeçare, ndërsa në moshën 18 vjeçare shkruajti romanin e tij të parë me titull “Aroma e Hyrit”. Botimi i veprimtarisë së tij letrare – tregim dhe poezi – ka qenë në gazeta dhe revista të ndryshme në Damask. Abdulatifi është i njohur si shkrimtar, poet, studiues i gjuhës dhe i letërsisë arabe, publicist dhe mbi të gjitha ai mban meritat si përkthyesi i parë i letërsisë shqiptare në gjuhën arabe.

A. Arnauti e nisi përkthimin e veprave shqipe në gjuhën arabe rreth viteve ‘50. Ndër veprat kryesore të përkthyera vlen të përmenden “Përse mendohen këto male”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Dasma”, “Dosja H” nga Ismail Kadare; “Njeriu me top”, “Burri dhe pushka” nga Dritëro Agollit; “Ato male” dhe “Dasma e Sakos” i Vath Koreshit apo “Toka jonë” e Kolë Jakovës, “Familja e peshkatarit” e shkrimtarit shqiptar Sulejman Pitarka etj.

Gjithashtu, ai ka përkthyer një numër të madh të antologjisë arabe (pjesë të zgjedhura) në gjuhën shqipe. Ka kontribuar në botimin e letërsisë arabe në qarqet letrare shqiptare. Ai shkroi poezi, tregime, romane dhe hulumtime letrare në gjuhën shqipe. Ka kontribuar në redaktimin e revistës së trashëgimisë arabe të botuar nga Bashkimi i Shkrimtarëve Arabë në mes të vitit 1997. Ka qenë gjithashtu anëtar i shoqërisë së përkthimit. Firmën e tij të prurjeve artistike e studimore e mbajnë 61 vepra të llojeve të ndryshme të krijimtarisë.

Ai ndërroi jetë në mbrëmjen e ditës së enjte më 3 mars 2022 dhe u varros në Dahdah të Damaskut me dt. 4.03.2022.

Mirënjohje përjetë ndaj veprës së vyer dhe kontributit shkencor e intelektual të të ndjerit Abdulatif, për gjithçka që ka bërë me dashuri dhe pasion për promovimin e kombit tonë, të vlerave tona më të mira kulturore, historike, për zhvillimin e letërsisë, e trashëgimisë shqiptare në botë!

Prev Post

Ish-futbollisti holandez, Clerence Seedorf, konvertohet në Islam

Next Post

‘Bac, Prishtina të pret’, përshpejtohen procedurat për ndërtimin e shtatores së Adem Jasharit

post-bars

Leave a Comment