LOADING...

Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Nëse i përdorni shpesh këto 6 fraza, jeni një lider më i mirë nga sa mendoni

Nëse i përdorni shpesh këto 6 fraza, jeni një lider më i mirë nga sa mendoni

Komunikimi efektiv me punonjësit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për suksesin tuaj si lider.

Warren Buffett e konsideron zhvillimin e aftësive të komunikimit si një nga investimet më të mira që mund të bëni, duke deklaruar se këto aftësi “mund të rrisin vlerën tuaj me të paktën 50 për qind”.

Por, frymëzimi i njerëzve nëpërmjet fjalëve nuk bëhet thjesht duke folur. Për të arritur këtë, duhet një qasje shumë njerëzore në mënyrën se si flisni me ta. Edhe nëse mendoni se keni aftësi shumë të mira komunikuese, ka mundësi që të jeni përballur me situata ku, sado i qartë të ketë qenë mesazhi, ka pasur një shkëputje me personin tjetër.

Duke marrë parasysh ndërveprimet e panumërta njerëzore gjatë një dite normale pune, ka disa shprehje verbale që mund t’ju ndihmojnë të rrisni besimin e të tjerëve te ju dhe të përmirësoni marrëdhëniet tuaja. 

  1. “Nuk do të mund t’ia kishim dalë pa përpjekjen tënde të palodhur.”

Kjo është një mënyrë e shkëlqyer për të treguar mirënjohje ndaj dikujt që ka tejkaluar pritshmëritë në një projekt kompleks që vuri në vështirësi të gjithë ekipin.

Një deklaratë e tillë, në prani të të gjithë ekipit, me lejen e personit që e merr mesazhin, është një shprehje e mirënjohjes dhe i tregon këtij personi se sa shumë vlerësohet në kompaninë tuaj.

  1. “Mund të kem nevojë për këshillën tënde lidhur me këtë vendim.”

Ekziston një bindje e gabuar se liderët nuk duhet të kërkojnë këshilla nga punonjësit e tyre ose nga pjesëtarët e ekipit. Në fakt, studimet kanë treguar se njerëzit që kërkojnë këshilla perceptohen si më kompetentë nga sa janë realisht.

Liderët më efektivë janë të sinqertë dhe kërkojnë ndihmë kur është e nevojshme. Duke qenë të vërtetë, të përulur dhe të sinqertë, si dhe duke u dhënë anëtarëve të ekipit mundësinë që edhe ata të jenë kështu, ekipet lidhen dhe bashkëpunojnë më mirë.

  1. “Si mund të të ndihmoj?”

Kjo është një frazë mikpritëse, veçanërisht gjatë periudhave me shumë stres ose kur anëtarët e ekipit përballen me afate dhe situata sfiduese. Ofrimi i ndihmës tregon se ju vërtet kujdeseni për punonjësit tuaj.

  1. “Kam besim te ti.”

Kjo është një frazë e vështirë për t’u konsideruar. Përpara se t’ia thoni këtë një punonjësi apo kolegu, a nuk duhet që ai person fillimisht ta ketë fituar besimin tuaj? Apo besimi krijohet pasi jepet paraprakisht si dhuratë?

Përgjithësisht mendohet se njerëzit duhet ta fitojnë vetë besimin; megjithatë, është zbuluar se në organizatat ku besimi është i madh, liderët janë të gatshëm që t’u ofrojnë besim ndjekësve të tyre, edhe si dhuratë, përpara se ata ta fitojnë atë. Kur u jepni besim anëtarëve të ekipit tuaj, si dhuratë, përpara se ata ta fitojnë atë, njerëzit do të jenë më të prirur t’jua kthejnë këtë nder: edhe ata do të fillojnë të kenë besim te ju.

  1. “Sinqerisht, nuk e di.”

Si lider, është tepër e sikletshme të pranosh se nuk di diçka, ndërkohë që njerëzit presin që t’i keni të gjitha përgjigjet.

Garry Ridge, kryetar dhe CEO i kompanisë WD-40, ka një pikëpamje të ndryshme. Ridge thotë se “Nuk e di” janë fjalët më të fuqishme që ai ka mësuar ndonjëherë në jetën e tij. Kur ai pranoi se nuk dinte shumë gjëra, filloi të mësonte dhe të rritej shumë.

“Nëse mendoni se dini gjithçka, ju po i mbyllni vetes të gjitha mundësitë për të mësuar më shumë dhe për të marrë këndvështrime të ndryshme,” thotë Ridge. “Pra, jo vetëm që ndihem shumë komod kur them ‘Nuk e di’, por, gjithmonë e më shumë, vazhdoj të pyes veten: ‘Pse e besoj këtë?’ Sepse bota po ndryshon me ritme shumë të shpejta.”

  1. “Për ҫfarë ke nevojë nga unë?”

Liderët efektivë u shërbejnë nevojave të të tjerëve duke u siguruar që ata të përgatiten për të arritur suksesin. Këta liderë i bëjnë të tjerët të marrin përgjegjësi për arritjen e suksesit, duke pasur pritshmëri mjaft të larta. Por, gjithçka fillon me shenjat e përkujdesjes për punonjësit tuaj. Pyetja e parë që duhet të bëni është gjithmonë: Për ҫfarë ke nevojë nga unë që të mund të të ndihmoj të performosh më mirë? / INC/MONITOR

Prev Post

Me energji diellore, kjo makinë mund të ecë me muaj pa u karikuar

Next Post

Separatistët në Ukrainën lindore thonë se planifikojnë të evakuojnë 700,000 njerëz

post-bars

Leave a Comment