LOADING...

Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Indeksi i Lirisë Ekonomike 2022/ Kosova renditet 28 vende më poshtë se një vit më parë, gati e fundit në Europë

Indeksi i Lirisë Ekonomike 2022/ Kosova renditet 28 vende më poshtë se një vit më parë, gati e fundit në Europë

Kosova është renditur në vendin e 86-të në indeksin për liri ekonomike, plot 28 vende më poshtë krahasuar me një vit më parë. Nga vendet i rajonit vetëm Mali i Zi është më keq se Kosova, i cili është radhitur i 103-ti, ndërsa Shqipëria qëndron më mirë, e 50-ta në listë.

Heritage Foundation ka publikuar Indeksin e Lirisë Ekonomike 2022, në të cilin Kosova ka shënuar rënie të ndjeshme krahasuar me vitin 2021. Kosova në nivel global renditet në pozitën e 86-të, ndërsa në Europë renditet e 40-ta nga 45 shtete të përfshira.

Pra nga Raporti i vitit 2021 renditja e Kosovës është përkeqësuar me 28 pozicione, meqë para një viti ka qenë në vendin e 58. Një renditje e tillë e bën Kosovën një shtet “mesatarisht të lirë” sa i përket ekonomisë.

Siç thuhet në raportin e Heritage Foundation, gjatë pesë viteve të fundit rritja ekonomike e Kosovës ishte përshpejtuar, para se të shënonte progres në vitin 2020 si rezultat i pandemisë COVID-19. Ndërkohë potencohet një rritje e shëndetshme ekonomike në vitin 2021.

Më tej në raportin e HF, thuhet se Kosova ka pësuar një rënie të madhe sa i përket pikëve në sundimin e Ligjit, duke regjistruar kështu një humbje të përgjithshme prej 7.8 pikësh të lirisë ekonomike që nga viti 2017, duke u renditur në fundin e listës së vendeve “mesatarisht të lira”.

“Liria monetare dhe liria tregtare janë pika të forta relative, por liria financiare është e dobët”, thuhet tutje në raport.

Gjithashtu përmendet se në renditje ka pasur ndikim edhe pandemia COVID-19, ndërsa thuhet se përgjigja e qeverisë në raport me pandeminë renditet në vendin e 91-të krahas shteteve të përfshira në këtë Indeks sa i përket ashpërsisë.

Tek fusha e sundimit të ligjit përmenden problemet me pronat si rezultat i të kaluarës dhe konfliktit me Serbinë. Këtu HF përmend gjyqësorin e dobët, mungesën e pavarësisë dhe të kapaciteteve teknike. “Korrupsioni është i përhapur shumë dhe kuadri institucional për ta luftuar është i dobët”, thuhet në raport.

Por, në Raport ka edhe fusha të caktuar ku Kosova ka përforcuar mirë.

“Të drejtat pronësore respektohen, por dobësitë në sistemin ligjor dhe vështirësitë që lidhen me vendosjen e titullit të pronës së paluajtshme, pjesërisht si rezultat i pretendimeve konkurruese që dalin nga historia e konfliktit me Serbinë, e bëjnë zbatimin e vështirë. Gjyqësorit të dobët i mungon pavarësia dhe kapaciteti teknik. Korrupsioni është i përhapur dhe një çështje shqetësuese serioze dhe kuadri institucional për ta luftuar atë është i dobët”, thuhet në raport.

Lidhur me një rënie të tillë të Kosovës sot kanë reaguar edhe Oda Ekonomike Amerikane të cilët thonë se ka kohë që e kanë ngritur një shqetësim të tillë.

“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj lidhur me renditjen e Kosovës në Indeksin e Lirisë Ekonomike të Heritage Foundation për vitin 2022, ku vlerësimi i përgjithshëm i Kosovës është nën mesataren rajonale”, thuhet në reagimin e OEAK.

“Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës të ndjekë një agjendë aktive të zhvillimit ekonomik, duke adresuar në mënyrë urgjente indikatorët me vlerësim më të ulët. Duke shprehur shqetësimet lidhur me faktin se mekanizmat dialogues si Këshilli Kombëtar për Ekonomi dhe Investime nuk janë mbledhur për më shumë se një vit, Oda Amerikane i kërkon Qeverisë të ketë dialog aktiv publiko-privat i cili mes tjerash i sjell përfitime vendit dhe përparimit ekonomik të tij”./MONITOR

Prev Post

Mbi 1 mln euro false kapen në Rinas, ky është kamerunasi që i solli në Shqipëri

Next Post

LAJM I FUNDIT/ Gjykata Kushtetuese nuk e shkarkoi Metën, reagon Yuri Kim

post-bars

Leave a Comment