
Hidhen sot në treg dy kartëmonedha të reja, prerjet 500 dhe 2000 LEKË
Duke filluar nga dita e sotme do të hidhen në treg dy kartëmonedha të reja, 500 dhe 2 000 lekë. Në këto kartëmonedha të reja nuk do të ketë ndryshime thelbësore pasi “fytyra” e tyre do vijojë të jetë Ismail Qemali dhe Mbreti Gent. Me hedhjen e këtyre dy prerjeve në treg plotësohet edhe seria e re e kartëmonedhave të prezantuara nga Banka e Shqipërisë e përbërë nga 6 prerje, Më konkretisht:
– kartëmonedhat 200 Lekë dhe 5000 Lekë u hodhën në qarkullim duke filluar nga data 30 shtator 2019;
-kartëmonedhat 10000 Lekë dhe 1000 Lekë u hodhën në qarkullim duke filluar nga 30 qershor 2021;
-kartëmonedha 500 Lekë dhe 2000 Lekë janë qe ishin planifikuar të hidhen në qarkullim duke filluar nga tremujori i katërt 2021 – tremujori i parë 2022
Kartëmonedhat vijnë me një dizajn të ri dhe janë prodhuar sipas teknologjisë më të fundit, me një përmirësim të cilësisë dhe me elementë shtesë sigurie duke e bërë më të vështirë falsifikimin e tyre.Ky fenomen sipas bankës qendrore mbetet në nivele të ulëta, megjithatë përgjatë vitit 2020 u konstatua një rritje e kartëmonedhave të falsifikuara në qarkullim, ku ato me vlerë 2000 dhe 1000 lekë rezultonin edhe prerjet më të falsifikuara, ndjekur nga kartëmonedhat 5000 dhe 500 lekë. Teknikat e përdorura nga falsifikatorët mbeten përgjithësisht primitive si ato përmes printimit me ngjyra apo metodave të tjera jo shumë të sofistikuara me përdorimin e imitimit të elementëve të sigurisë së kartëmonedhave. Pavarësisht emëtimit të kartëmonedhave të reja, ato ekzistuese të të gjitha prerjeve do të vazhdojnë të qarkullojnë paralelisht me kartëmonedhat e reja dhe të shërbejnë si mjet pagese .

