Nga “P” në “PP”: IdentiTek sqaron ndryshimin në pasaporta
Shënimi “PP” në pasaportat e reja shqiptare nuk është gabim printimi, por përditësim teknik sipas standardeve të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), sqaron IdentiTek.
Ndryshimi është bërë në kodin që lexohet nga makineritë në pasaportë. Sipas ICAO-s, “P” identifikon pasaportën, ndërsa shkronja e dytë tregon kategorinë e dokumentit. Për pasaportat e zakonshme, kodi “P” është zëvendësuar me “PP”; për pasaportat e shërbimit, “PS” me “PO”. Afati ndërkombëtar për zbatimin e ndryshimeve ishte 1 janari 2026.
IdentiTek thotë se prodhimi i pasaportave me shënimet e reja nisi në dhjetor 2025 dhe se deri tani janë lëshuar mbi 300 mijë të tilla. Sipas institucionit, ndryshimi nuk cenon vlefshmërinë e dokumenteve.
Shqipëria është pjesë e Drejtorisë Publike të Çelësave të ICAO-s që prej marsit 2025. Ky sistem u mundëson autoriteteve kufitare të vendeve pjesëmarrëse të verifikojnë në mënyrë elektronike autenticitetin dhe integritetin e të dhënave në çipin e pasaportave biometrike.