Ndërprerja e Microsoft-it preku institucione në disa vende, AKSK paralajmëron për mashtrime

Ndërprerja e Microsoft-it preku institucione në disa vende, AKSK paralajmëron për mashtrime

Një ndërprerje e gjerë e shërbimeve të Microsoft-it, e nisur të enjten në mbrëmje dhe e raportuar gjatë së premtes, shkaktoi probleme me Outlook, Teams dhe Azure në disa rajone. Institucione publike dhe kompani raportuan vështirësi në përdorimin e postës elektronike dhe platformave të punës.

Në Norvegji, ministri dhe ligjvënës humbën përkohësisht qasjen në email, ndërsa policia pati probleme me Teams dhe Copilot. Autoritetet norvegjeze thanë se sistemet qendrore dhe kapacitetet operacionale të policisë nuk u prekën. Edhe parlamenti danez raportoi vështirësi me postën elektronike, ndërsa institucione në Britani të Madhe dhe vende të tjera evropiane u përballën me probleme të ngjashme.

Ndërprerje u raportuan edhe në administrata dhe shërbime publike në vende të tjera. Në disa institucione në Japoni u përdorën dokumente në letër, ndërsa gjykatat në Filipine dhe shërbimet publike në Australi patën vonesa. Sipas Downdetector, problemet u raportuan në 74 vende dhe territore brenda rreth një ore.

Microsoft ia atribuoi ndërprerjen ngarkesës së lartë në infrastrukturën e vet dhe bëri të ditur se nuk bëhej fjalë për një incident kibernetik. Problemet treguan se sa shumë institucione varen nga shërbimet digjitale për komunikimin, dokumentet dhe punën e përditshme.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) paralajmëroi se situata mund të shfrytëzohet për tentativa mashtrimi. Përdoruesit mund të marrin email-e për rivendosje fjalëkalimi, njoftime për llogari të bllokuara ose telefonata nga persona që hiqen si punonjës të mbështetjes teknike.

AKSK këshillon qytetarët dhe institucionet të mos hapin lidhje të dyshimta dhe të mos ndajnë fjalëkalime, kode verifikimi apo të dhëna konfidenciale. Kërkesat për ndihmë teknike duhen verifikuar përmes stafit zyrtar të IT-së, ndërsa aktivitetet e dyshimta mund të raportohen në adresën soc@aksk.gov.al.

Prev Post

Boja e tatuazheve nuk mbetet…

post-bars

Leave a Comment