Studimi: Instagrami pasqyron ndjenjën e vetmisë te përdoruesit
Mënyra si përdoruesit postojnë, çfarë shkruajnë në përshkrime dhe si ndërveprojnë me të tjerët mund të pasqyrojë diçka nga gjendja e tyre emocionale. Një studim i ri nga psikologë të Universitetit të Kalifornisë në San Diego gjeti modele të aktivitetit në Instagram që lidhen me ndjenjën e vetmisë.
Në studim morën pjesë 415 studentë universitarë, të cilët u dhanë studiuesve akses në arkivat e llogarive të tyre. Të dhënat përfshinin fotografi, përshkrime, komente, pëlqime dhe aktivitete të tjera të publikuara ndër vite. Më shumë se 60% e pjesëmarrësve kishin llogari private. Ata plotësuan edhe pyetësorë për të vlerësuar nivelin e vetmisë dhe marrëdhëniet që kishin me njerëzit përreth.
Studiuesit përdorën metoda të mësimit automatik për të krahasuar aktivitetin në platformë me përgjigjet e pjesëmarrësve. Personat që raportonin më shumë vetmi kishin më pak fotografi ku shfaqeshin fytyra. Në përshkrimet e tyre përdornin më shpesh fjalë që i referoheshin së kaluarës, si “isha” dhe “kisha”, ndërsa në foton e profilit shfaqeshin më shpesh me kokën të anuar lart.
Ekipi analizoi edhe dy forma të ndryshme të vetmisë. Vetmia emocionale lidhet me mungesën e një marrëdhënieje të afërt dhe kuptimplote, ndërsa vetmia shoqërore shfaqet kur dikush ndihet i shkëputur nga një grup miqsh ose nga komuniteti ku bën pjesë.
Te pjesëmarrësit që raportonin vetmi emocionale, studiuesit vunë re më shumë postime gjatë natës, veçanërisht në orët mes 23:00 dhe 05:00, si dhe më shumë gjuhë negative në përshkrime. Ata kishin edhe fotografi profili me shprehje më të trishtuara ose të zemëruara dhe përmendnin më shpesh familjarët e miqtë. Sipas studiuesve, këto përmendje mund të pasqyrojnë dëshirën për lidhje më të afërta.
Ndërsa personat që ndiheshin të shkëputur nga një komunitet kishin më pak ndërveprime me postimet e të tjerëve: vendosnin më rrallë pëlqime dhe komente, postonin më pak gjatë fundjavave dhe përdornin më pak fjalë që shprehin mirënjohje ose kujdes, si “faleminderit” dhe “kujdes”.
Sipas autorëve, aktiviteti në Instagram ndihmoi të parashikohej me saktësi të moderuar niveli i vetmisë që studentët raportuan vetë. Megjithatë, të dhënat ishin shumë më pak të dobishme për të vlerësuar sa persona kishin në jetën reale për t’u mbështetur. Kjo tregon se ndjenja e vetmisë nuk përputhet gjithmonë me numrin e miqve apo të kontakteve që ka dikush.
Studiuesit thonë se në të ardhmen, analiza të tilla mund të ndihmojnë universitete, këshillues ose profesionistë të shëndetit mendor të identifikojnë njerëz që mund të kenë nevojë për mbështetje. Por përdorimi i të dhënave personale ngre çështje të rëndësishme për privatësinë dhe kërkon pëlqimin e përdoruesve e masa mbrojtëse.
Gjetjet nuk janë tregues për të diagnostikuar vetminë te një individ. Studimi gjithashtu nuk përcakton nëse vetmia ndryshon mënyrën si dikush përdor Instagramin, nëse përdorimi ndikon te ndjenja e vetmisë, apo nëse të dyja lidhen me faktorë të tjerë. Studimi u botua në revistën npj Mental Health Research.