Buxheti 2027, rriten fondet për mbrojtjen, ulen për arsimin dhe shërbimet sociale

Buxheti 2027, rriten fondet për mbrojtjen, ulen për arsimin dhe shërbimet sociale

Pesha e pensioneve, ndihmës ekonomike dhe shërbimeve sociale bie në 26.2%. Ndërkohë, rriten fondet për mbrojtjen, ndërsa ulet pjesa për arsimin dhe shëndetësinë.

Mbrojtja sociale do të përbëjë 26.2% të shpenzimeve buxhetore në vitin 2027, nga 27.3% këtë vit, sipas të dhënave të projektbuxhetit. Ajo mbetet zëri më i madh i shpenzimeve publike sipas funksioneve, por pesha e saj në buxhet ulet me 1.1 pikë përqindjeje.

Kjo rënie nuk nënkupton domosdoshmërisht ulje të fondeve në vlerë absolute. Ajo tregon se mbrojtja sociale, ku përfshihen kryesisht pensionet, ndihma ekonomike dhe mbështetja për kategoritë në nevojë, do të zërë një pjesë më të vogël të shpenzimeve totale.

Në kahun tjetër, pesha e shpenzimeve për mbrojtjen dhe forcat e armatosura parashikohet të rritet nga 4.8% në vitin 2026, në 6.3% në vitin 2027. Edhe shëndetësia dhe arsimi do të kenë pjesë më të ulëta në buxhet: shëndetësia zbret nga 9.2% në 8.8%, ndërsa arsimi nga 8% në 7.5%.

Së bashku, mbrojtja sociale, shëndetësia dhe arsimi do të përbëjnë 42.5% të shpenzimeve publike, nga 44.5% këtë vit. Peshë më të ulët parashikohet të kenë edhe çështjet ekonomike, shërbimet e përgjithshme publike, si dhe rendi dhe siguria publike. Ndërsa shpenzimet e tjera të paklasifikuara rriten nga 21.9% në 24.5%.

Paralelisht me rritjen e investimeve në infrastrukturë dhe pajisje ushtarake, ngrihet shqetësimi për mungesën e punonjësve të kualifikuar që mund t’i menaxhojnë ato. Sipas burimeve nga Ministria e Mbrojtjes, disa pajisje të artilerisë nuk mund të përdoren nga stafet aktuale. Pajisjet moderne kërkojnë gjithnjë e më shumë specialistë të teknologjisë dhe inxhinierë.

Edhe zhvillimi i linjave moderne hekurudhore kërkon staf të aftë për të operuar sistemet e reja. Pa burimet njerëzore dhe njohuritë e nevojshme, investimet rrezikojnë të mos përdoren në kapacitetin e tyre të plotë dhe të amortizohen. Shqetësimi lidhet me hendekun mes aftësive të fuqisë punëtore dhe nevojave të vendit, pas një periudhe të gjatë investimesh të ulëta në arsim krahasuar me rajonin dhe Bashkimin Evropian.

Prev Post

Kontrolle të reja mjekësore për…

Next Post

Tirana pret Forumin e Investimeve…

post-bars

Leave a Comment