Strehimi social, projektligji parashikon krijimin e një kompanie të re shtetërore
Shqipëria pritet të krijojë një shoqëri të posaçme shtetërore për administrimin dhe zhvillimin e banesave sociale dhe të përballueshme. Nisma parashikohet në projektligjin e ri për strehimin social, i cili synon të përmirësojë menaxhimin e fondit të banesave dhe të zgjerojë mundësitë e strehimit për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Struktura e re do të quhet “Shoqëria Shqiptare e Strehimit Social”, sh.a., dhe do të ketë përgjegjësinë për sigurimin, zhvillimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e banesave të përfshira në programet e strehimit. Sipas relacionit shoqërues të projektligjit, krijimi i saj synon të adresojë vështirësitë që lidhen me kapacitetet e kufizuara për administrimin afatgjatë të banesave sociale dhe të krijojë një sistem më të qëndrueshëm për menaxhimin e tyre.
Reforma parashikon gjithashtu forcimin e rolit të Agjencisë Kombëtare të Territorit dhe Strehimit Social, e cila do të jetë përgjegjëse për administrimin e Fondit për Strehim dhe Kohezion Social, si dhe për financimin dhe zbatimin e programeve përkatëse. Përmes këtij fondi do të mund të financohen ndërtimi i banesave të reja, blerja e apartamenteve, rikonstruksioni dhe përshtatja e objekteve ekzistuese për nevoja strehimi.
Një nga mundësitë e parashikuara në projektligj është edhe blerja e apartamenteve në tregun e lirë, kur kjo rezulton më ekonomike sesa ndërtimi i banesave të reja. Banesat e siguruara përmes Fondit për Strehim dhe Kohezion Social do të jenë në pronësi të Agjencisë Kombëtare të Territorit dhe Strehimit Social.
Sipas relacionit, kalimi i funksioneve, programeve dhe pasurive drejt strukturave të reja do të bëhet gradualisht, me synimin për të shmangur ndërprerjen e programeve ekzistuese. Përmes kësaj reforme, synohet të krijohen kapacitete më të specializuara për administrimin dhe mirëmbajtjen e banesave, si dhe të zgjerohet roli i shtetit në ofrimin e strehimit social dhe të përballueshëm.
Projektligji përcakton drejtimin e reformës, por krijimi i shoqërisë dhe zbatimi i ndryshimeve mbeten të lidhura me miratimin dhe procedurat përkatëse ligjore.